Listat e veteranëve/ Ish-prokurori Blakaj ka një paralajmërim për mashtruesit
Ish-prokurori special, Elez Blakaj, ka reaguar për marrjen e vendimit nga Gjykata Themelore, lidhur me rastin e listave të veteranëve të luftës.
Përmes një postimi në Facebook, Blakaj thotë se për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur dhe futur duart në rast, Apeli do ta kthejë rastin përsëri në rigjykim, transmeton IndeksOnline.
Duke prezantuar ligjin përmes të cilit bëhet kategorizimi i veteranëve të UÇK-së, Blakaj thotë:
“Miq, manipuluesit dhe avokuesit e tyre qëllimisht e përdorin vetëm shprehjen veteranë në debate publike, me qëllim që të krijojnë mjegull dhe shfajësim, duke e shmangur kategorizimin e tyre, ani pse e dinë shumë mirë që pension, sipas këtij ligji, marrin vetëm dy kategori: Invalidi i luftës së UÇK-së dhe veterani luftëtar i UÇK-së”.
Kujtojmë se ish-prokurori Blakaj ka qenë përgatitës i aktakuzës për rastin e listave të fryra të veteranëve dhe për një kohë i ka hetuar ato.