Lojaliteti apo servilizmi janë dukuri të përkohshme dhe nuk sjellin rezultate afatgjata.
Nga Nenad Rashiç, kryetar i Partisë Demokratike Progresive që përfaqëson serbët në qeverinë e Kosovës, nuk mund të kërkohet të mendojë e të veprojë si shqiptar, vetëm që ne të ndihemi të kënaqur. Vlera e tij qëndron pikërisht tek zgjedhja për bashkëjetesë dhe barazi, përballë nacionalizmit dhe ekstremizmit serb në Kosovë.
Po të ndodhte e kundërta, sikur Shaip Kamberi në Beograd të mos i mbronte të drejtat elementare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, çfarë mendimi do të kishim për të?
Prandaj duhet të jetë e qartë: lojalteti dhe servilizmi nuk janë interes i vërtetë politik. Ata janë të përkohshëm, pa zgjidhje afatgjata dhe shpesh të dëmshëm për kauzën. Nuk është rastësi që Rashiç në Serbi quhet “tradhtar i llojit të vet”, njësoj siç dikur u quajt Lëvizja Besa kur hyri në lista të përbashkëta me LSDM-në.
Edhe në Maqedoninë e Veriut kanë ekzistuar “Rashiça”, dhe për shumicën e shqiptarëve kjo nuk ka qenë një ndjenjë e mirë. Loja me “shqiptarë të ndershëm” apo “serbë të ndershëm” është, në thelb, e pandershme.
Vetëm zgjidhjet e qëndrueshme politike, jo lojaliteti i përkohshëm, mund të sjellin barazi dhe stabilitet për popujt e Ballkanit Perëndimor.

