Lushtaku e Kurti ‘përplasen’ për Skenderajn: Kosovës i solle përçarje, sanksione

212
fresco

Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, janë përfshirë në një debat të ashpër publik pas deklaratave të ndërsjella gjatë fushatës zgjedhore.

Gjatë një tubimi në Skenderaj, Kurti, duke synuar të mbështesë kandidatin e Vetëvendosjes për këtë komunë, ka kritikuar pushtetin aktual, duke aluduar në Lushtakun. Ai e përshkroi atë si “multi-milioner” dhe “ish-komandant që kënaqet kur i frikësohen njerëzit”.

“Në Skenderaj pushteti aktual nuk ka as program e as ide. Pabarazitë në Skenderaj, me multi-milionerin ish komandant i cili kënaqet kur i frikësohen njerëzit, janë devijim nga sakrifica e madhe e dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë kontribuesve për çlirim të Kosovës, liri të popullit dhe shtet të pavarur. Funksionet publike janë për shërbim me përkushtim e jo për pasurim me sundim,” tha Kurti.

Në reagimin e tij, Sami Lushtaku e ka akuzuar Kurtin për demagogji dhe për dështime në raportet me aleatët ndërkombëtarë.

“Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje, sanksione ndërkombëtare e prishje me aleatët tanë ndërkombëtarë, ShBA-të e BE-në, me të cilët Hashim Thaçi e Ushtria Çlirimtare e Kosovës krijoi miqësi nga malet e Kosovës në vitin 1998,” deklaroi Lushtaku.

Comments