Maqedonia e Veriut, endet mes inateve dhe ndikimeve të huaja!
Koalicioni qeveritar mes VMRO-së dhe ZNAM-it, me vetëdije të plotë, po lejon rritjen e ndikimit të botës serbe në Maqedoninë e Veriut, thjesht për të shprehur inate ndaj Bashkimit Evropian, për shkak të tolerancës që po tregohet ndaj kushteve bullgare.
Një politikë e tillë nuk sjell asgjë tjetër përveç komplikimeve të reja me fqinjët: herë me Greqinë, herë me Serbinë, pastaj me Bullgarinë, ndërsa gjithmonë si “pengesë” shihen shqiptarët.
Ky shtet ka nevojë për udhëheqje me mençuri, mbi parimet e barazisë dhe demokracisë, mbi marrëdhënie të qëndrueshme fqinjësore dhe bashkëpunim të sinqertë. Izolimi dhe politikat e inatit nuk e çojnë askund. Synimi për anëtarësim në BE është e vetmja rrugë e drejtë dhe shpëtimi i vetëm për vendin.
Sa i përket partnerëve shqiptarë në këtë koalicion, është e qartë se ata nuk kanë numrat dhe as fuqinë politike për ta ndryshuar kursin. Por, së paku, kanë detyrimin që diskriminimin ndaj shqiptarëve ta denoncojnë hapur para faktorit ndërkombëtar dhe të bëjnë të qartë se shqiptarët nuk mund të margjinalizohen pafundësisht.
Kjo gjendje është e patolerueshme.
Prandaj shqiptarët e mirëpritën idenë e një fronti të përbashkët kombëtar, si mundësi e vetme për ta rikthyer të ardhmen e vendit në rrugën e dialogut dhe për të garantuar pozitën e barabartë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

