Maqedonia e Veriut në kolaps demografik: Çdo vit më shumë vdekje e më pak lindje
Maqedonia e Veriut, ashtu si edhe shtetet tjera të Ballkanit dhe të Evropës, po përballet me krizë të thellë demografike, pasojat e së cilës veçse kanë filluar të ndihen, ndërsa parashikimet për të ardhmen janë edhe më shqetësuese. Të dhënat zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave dëshmojnë se vendi ynë po përjeton një ulje të vazhdueshme të natalitetit (lindshmërisë), ndërkohë që vdekshmëria është në rritje të vazhdueshme. Duhet pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është ndër të paktat shtete në botë ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve varen në një masë të madhe nga përbërja numerike dhe etnike e popullsisë. Kjo e bën demografinë një çështje jo vetëm sociale dhe ekonomike, por edhe thellësisht politike dhe etnike, shruan FaktiDitor.info
Popullsia është një nga asetet më të rëndësishme të një shteti, në aspektin politik, ekonomik dhe ushtarak. Për një periudhë të gjatë kohore, Maqedonia e Veriut ka pasur një bilanc pozitiv në këtë drejtim, por sot kjo përbën më tepër një kujtim të së kaluarës. Vendi po përballet me një rënie të vazhdueshme të lindjeve, gjë që pasqyrohet qartë në uljen e numrit të nxënësve nëpër shkolla si dhe në mungesën gjithnjë në rritje të fuqisë punëtore.
Numri i lindjeve në Maqedoninë e Veriut në 10 vitet e fundit:
2014 | 2019 | 2024 |
23.596 | 19.845 | 16.061 |
Në vetëm një dekadë, lindshmëria ka rënë me mbi 7.500 lindje. Krahasuar me vitin 2014, në vitin 2024 kemi një ulje prej rreth 32% të lindjeve. Nëse kthehemi më tej në kohë, krahasimi me vitin 1991 – kur në vend pati 34.830 lindje – tregon për një rënie dramatike, gati 50% më pak lindje në më pak se tre dekada, shkruan FaktiDitor.info.
.Numri i lindjeve në 1000 banorë:
2014 | 2019 | 2024 |
11.4 | 9.6 | 8.8 |
Këto shifra tregojnë se në një dekadë kemi një rënie të lindjeve për 1.000 banorë prej 2.6 njësi në krahasim me vitin 2014, ndërsa në krahasim me vitin 2019 është 0.6 njësi që është një tregues mjaft shqetësues.
Vdekshmëria sipas të dhënave të Entit Statistikorë të Maqedonisë së Veriut:
2014 | 2019 | 2024 |
19.718 | 20.446 | 20.201 |
me vitin 2014, në vitin 2024 ka 483 më shumë vdekje, që përbën një rritje prej 2.4%. Edhe pse në krahasim me vitin 2019 ka një ulje të lehtë prej 245 rasteve, rritja në raport afatgjatë është evidente, shkruan FaktiDitor.info.
Vdekshmëria në 1000 banorë:
2014 | 2019 | 2024 |
9.5 | 9.8 | 11.1 |
Në vitin 2024, vdekshmëria për 1.000 banorë është rritur me 1.6 njësi krahasuar me vitin 2014 dhe me 1.3 njësi krahasuar me vitin 2019.
Faktorët kryesorë në uljen e natalitetit: emigracioni, pasiguria, stili i jetesës
Shkaktarët e kësaj krize janë të shumtë, por emigracioni i vazhdueshëm i të rinjve mbetet faktori kryesor. Po ashtu, pasiguria ekonomike dhe sociale, kushtet e vështira të jetesës dhe mungesa e politikave mbështetëse për familjet dhe prindërit e rinj janë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin për të lindur sa më pak fëmijë fëmijë.
Çfarë duhet bërë tani?
Në këto rrethana tejet alarmante, autoritetet shtetërore duhet të veprojnë me urgjencë. Kriza demografike nuk është vetëm një çështje statistikore pasi ajo ka pasoja të drejtpërdrejta në sistemin arsimor, tregun e punës, shërbimet shëndetësore dhe mbi të gjitha, për të ardhmen politike dhe ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
Masa të menjëhershme si ndihma financiare për familjet me fëmijë, përkrahja për nënat dhe baballarët e rinj, investime në çerdhe dhe kopshte, si dhe nisma për kthimin e diasporës janë vetëm disa nga hapat që duhen marrë për të ndalur trendin negativ para se të jetë tepër vonë për vendin tonë FaktiDitor.info.