Maqedonia pajisët me howitzer! Mickoski: Me këtë blerje harmonizohemi me standardet e NATO-s

Maqedonia u bë shteti i parë evropian që ka marrë howitzer turke të quajtura Boran. Në kazermën në Prilep u promovua bateria e artilerisë e përbërë nga 6 howitzer prej 105 milimetrash që kanë rreze veprimi prej 17 kilometrash dhe mund të vendosen për përdorim brenda një minute. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Ushtria e Maqedonisë nuk do të ketë më pajisje të vjetruara, por me këtë pajisje jo vetëm që do të jetë më e fuqishme, por edhe më e përputhur me standardet e NATO-s.
“Ushtria jonë me këtë pajisje jo vetëm që do të jetë më e fuqishme, por edhe më e koordinuar, më e saktë dhe më e harmonizuar me standardet e NATO-s. Nuk do të ketë më improvizime, pajisje të vjetruara apo mbështetje deklarative. Me këtë blerje po ndërtojmë një shtet që qëndron me vetëbesim krah për krah me aleatët”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, theksoi se përveç blerjes së kësaj pajisjeje, Turqia po dhuron edhe një pjesë të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake të nevojshme.
“Gjatë vitit të kaluar kemi rënë dakord për shumë gjëra së bashku, veçanërisht në pjesën e donacioneve. Siç mund të shihni këtu para nesh, janë mbi 130 çadra të dhuruara drejtpërdrejt nga shteti turk, por gjithashtu mbi 3.900 komplete uniformash luftarake që janë gjithashtu donacion nga Turqia. Kemi rënë dakord edhe për snajperë shtesë nga Turqia, si dhe për çizme ushtarake”, shtoi Vlado Misajllovski, ministër i Mbrojtjes .
Marrëveshja për furnizimin me howitzer u nënshkrua më 21 dhjetor 2022. Gjithashtu, bashkë me blerjen e howitzer-ve, është rënë dakord edhe për blerjen e municionit me rreze të zgjatur, shpërndarja e të cilit planifikohet për vitin e ardhshëm. Me marrëveshjen e dytë është siguruar pajisje shtesë për howitzer, sisteme komunikimi dhe kontrolli zjarri.