Marrëveshja e Uashingtonit, Gashi: Osmani e Kurti dikur thoshin “tradhti kombëtare”, sot e quajnë “arritje historike”
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për veprime dhe deklarata kundërthënëse.
Ai ka vlerësuar se të dy krerët e shtetit i kanë ndryshuat qëndrimet për Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila në shtator të vitit 2020 është nënshkruar nga Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Gashi ka shkruar se Osmani dhe Kurti dikur thoshin se kjo marrëveshje ishte kundërkushtetuese dhe tradhti kombëtare, kurse sot e quajnë “arritje historike”.
“Pas pesë vitesh në pushtet, Presidentja dhe Kryeministri vazhdojnë me veprime dhe deklarata kundërthënëse. Ata që dikur thoshin se Marrëveshja e Ëashingtonit ishte kundërkushtetuese dhe tradhti kombëtare, sot e quajnë “arritje historike” dhe “sukses për Kosovën”. Le t’ia lëmë historisë gjykimin për të shkuarën”, ka shkruar ai, duke shtuar se Kosova meriton lidership më të mirë.
“Por detyra jonë është të flasim për sot. Çfarë po bëjnë ata për: • konstituimin e institucioneve? • ruajtjen e aleancave strategjike? • zhvillimin ekonomik të vendit? • sigurinë kombëtare? Sot, në vend të vizionit – ka konfuzion. Në vend të besimit – ka pasiguri. Në vend të aleancave – ka izolim. Në vend të mobilizimit – ka apati. Kosova meriton më shumë. Qytetarët meritojnë lidership të qartë, përgjegjës dhe të besueshëm”, ka shkruar ai.