Mateç, 100 nxënës transportohen me një autobus (Video)
100 nxënës transportohen me një autobus. Kjo ndodh tashmë dy javë në fshatin Mateç të Komunës së Likovës. 300 nxënës të këtij fshati për shkak të renovimit të shkollës, mësimin e vijojnë në Likovë. Nxënësit thonë se transporti i tyre bëhet vetëm me tre autobusë.
“Shumë ngushtë është në autobus. Me 3 apo 4 autobus transportohemi”.
“Ne po shkojmë me 3 autobusë, shumë ngushtë e kemi”.
“E kemi shumë ngushtë, me 3 autobusë po shkojmë në shkollë, me dy kombi”.
“Në autobus është katastrofë, tepër ngushtë e kemi nuk mundemi me shkuar kështu deri në Likovë”.
“Nuk ka vend për të gjithë, katastrofë”.
“Në Likovë jemi duke shkuar në shkollë, shumë ngushtë e kemi në autobus”.
Edhe prindërit dhe banorët e këtij fshati shprehen të revoltuar dhe kërkojnë që Komuna të zgjidh këtë problem.
“Çdo ditë është kështu, fajin nuk e di kush e ka, komuna apo shkolla jonë”.
“Kjo është katastrofë, jemi ankuar por nuk kemi edhe ku të ankohemi”.
“Çdo ditë bëhet kjo tollovi, nuk ekziston kështu askund, këto si me qenë qengja, gjynah për ata, mjerim”.
Mirëpo zv/drejtori i Shkollës Fillore “Kultura” hedh poshtë akuzat e prindërve dhe nxënësve.
“Janë 4 autobusë dhe 1 kombi me të cilët barten nxënësit, mirëpo sot njëri nga autobusët ashtu siç na paralajmëruan më herët se është me defekt, kështu që kemi bartë me 3 autobusë dhe kombi do të vij dy herë. Punohet në një ndërrim ku barten përafërsisht rreth 300 nxënës”, deklaroi Ibrahim Bakiu, Zv/drejtor i Sh.F.Kultura-Mateç.
Tollovia rreth transportit të nxënësve të fshatit Mateç, erdhi pasi me fillimin e vitit shkollor, filluan edhe punimet rreth renovimit të objektit të Shkollës./alsat-m/