Matteo Renzi, mjeshtri i medias, që rrezikon të shndërrohet në politikanin më dështak në Europë

121

Matteo Renzi, mjeshtri i medias, që rrezikon të shndërrohet në politikanin më dështak në Europë

Moebel THEMA

Nga Alvise Armellini

Kryeministri italian, Matteo Renzi rrezikon të shndërrohet në politikanin më të ri dështak në Evropë, pasi planet e tij të mëdha kushtetuese u hodhën poshtë nga referendumi i djeshëm me një diferencë të madhe të paparashikuar. Matteo Renzi, një ish-boy scout, mjeshtër i medias, nga rrethinat e Firences, 41-vjeç, erdhi në pushtet në shkurt të vitit 2014, duke u bërë kreu më i ri i qeverisë së Italisë që pas diktatorit fashist, Benito Mussolini, i cili u emërua në këtë post në vitin 1922.

“Unë dëshiroja të hiqja qafe shumë poste pushteti në politikën italiane… Dështova, kështu që i vetmi post në pushtet që do të humbas do të jetë i imi”, deklaroi Renzi, duke pranuar humbjen e referendumit si dhe duke njoftuar dorëheqjen e tij. Referendumi ishte lidhur me përqëndrimin e pushtetit në duart e qeverisë kombëtare, por Renzi ktheu një çështje të stabilitetit politik në një plebishit “më duaj ose më urre” duke tunduar rivalët politikanë dhe votuesit e pakënaqur që të kërkojnë tani ”kokën” e tij. Sipas Claudio Cerasas, redaktor i gazetës së përditshme italiane “Il Foglio”, Renzi është një fiorentin tipik me arrogancën e tij dhe ky është një problem me publikun e gjerë.

“Njerëzit nga Firence shihen si arrogantë dhe pjesa tjetër e Italisë nuk mund t’i durojë ata”, tha Cerasa. Renzi u betua pas ”komplotit” kundër paraardhësit, Enrico Letta, disa javë më vonë pasi i tha atij se nuk e përmbushte punën e tij. Brutaliteti i komplotit të pallatit u krahasua me një episod të serialit “House of Cards”, një prej serialeve televizive më të preferuara të kryeministrit italian, Renzi. “Ndonjëherë jam shumë i keq, pak arrogant dhe impulsiv”, deklaroi Renzi muajin e kaluar për televizionin italian La7.

Në një intervistë me revistën “Vogue” në muajin shtator, ai thumboi se vetëm “atëherë kur i kam të gjithë kundër, argëtohem më shumë”. I lindur në Rignano dell’Arno, 20 kilometra në lindje të Firences Qendrore, Renzi u bë i rëndësishëm në mbarë vendin falë premtimeve për të larguar plakjen e Italisë dhe elitën e korruptuar, ndërkohë që ishte në postin e kryetarit të bashkisë së qytetit, të cilin e rilindi gjatë viteve 2009-14. Në Romë, ai tha se do të ndërmerrte çdo muaj nga një reformë të madhe, por që së shpejti u provua e kundërta. Arritjet më të mëdha të Renzit kanë qenë liberalizimi i ligjeve të punës dhe modernizimi i sistemit shkollor, edhe pse të dyja reformat kanë zemëruar elektoratin e majtë. Qeveria e tij kaloi në parlament një ligj historik të unionit të homoseksualëve. Por, puna më e mirë, por e mbaruar përgjysmë, ishte tronditja e sistemit sklerotik italian të drejtësisë dhe burokracisë. Ndërkohë, dështimi i tij më i madh, i gjithëpranuar, ka qenë ekonomia. Renzi ka theksuar se janë krijuar 650 000 vende të reja pune dhe një recesion paralizues përfundoi nën drejtimin e tij. Niveli  i papunësisë mbetet i lartë duke qenë se Italia është ende një nga ekonomitë më të ngadalta në Bashkimit Evropian dhe ku bankat e saj janë dëmtuar nga kreditë e këqija. Ndërkombëtarisht, Renzi është mbështetur nga presidenti amerikan, Barack Obama, ndërkohë që ai shpesh është përballur me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe me udhëheqësit e BE-së, lidhur me dhënin e më shumë lirive veprimi nga Brukseli mbi buxhetet kombëtare si dhe më shumë bashkëpunim për migracionin.

Një konkurrent i vetëshpallur, Renzi është një ish-kristiandemokrat, Partia Demokrate (PD) e të cilit dikur ishte domen i ish-komunistëve si ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema. Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai ishte gjithmonë më i qetë me drejtuesit e biznesit sesa me sindikalistët. Një kritikë e përsëritur ndaj Renzit është se ai ishte madhështor në stil dhe i mangët në përmbajtje dhe gëzonte marrëdhënie aspak komode me ish-kryeministrin italian të prirur për skandale, Silvio Berluskoni, i cili qëllimisht mbështeti reformat kushtetuese. Berlusconi, i cili bëri fushatë për ”jo”-në, por që u ofrua të bashkëpunojë me Renzin pas humbjes së tij, deklaroi dy javë më parë se “nëse duhet të them të vërtetën, është vetëm një lider i vërtetë në politikë sot, dhe emri i tij është Matteo Renzi”.

Pavarësisht poshtërimit të djeshëm, karriera në rritje e kryeministrit italian në largim, mund të mos ketë përfunduar.

Përgatiti bota.al

Comments