Mbyllen disa kafiteri në Gjilan, Haziri: Ky vend ka zot shpije, mos u sillni me ‘shkopin’ e ligjit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i ka reaguar ashpër qeverisë së Kosovës pas mbylljes së disa lokaleve në qytetin e Gjilanit duke thënë se “nuk e pranon represionin dhe mbylljen e dhunshme të lokaleve”.

Haziri ka qenë i ashpër duke shkruar se “Njësitë ndëshkuese të qeverisë së Republikës kanë mbyllur restorante e kafiteri, përfshirë Maroa e Mono, duke ndëshkuar bizneset familjare në Gjilan pa asnjë arsye të qëndrueshme ligjore, duke anashkaluar inspekcionin e Komunës dhe kryeshefin ekzekutiv të Komitetit për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kryetarin e Komunës.”
Ai i ka bërë thirrje organeve të qeverisë siç shkruan “të mos sillen me ‘shkopin’ e ligjit”, duke shtuar se Gjilani “ka zot shpije”.