MËSIMET PEDAGOGJIKE NGA LUFTA E BEDRIT

413

“Allahu u ndihmoi juve në Bedër kur ju ishit pak në numër”.

MËSIMET PEDAGOGJIKE NGA LUFTA E BEDRIT
Sikur sot, para 1438 viteve të hixhretit ose 1395 vitesh gregoriane, u zhvillua beteja e parë mes muslimanëve dhe politeistëve. Rëndësia e kësaj beteje fshehet në atë se ishte vendimtare për të ardhmen e Islamit dhe muslimanëve. Nuk ishte vetëm thjesht një ngjarje e rëndomtë historike, por ishte vërtet një kthesë e madhe për muslimanët, të cilët kaluan nga periudha e dobësisë në atë të fuqisë.
Nga Lufta e Bedrit nxirret mësimi se atyre që nuk i nënshtrohen argumentit të arsyes së shëndoshë dhe përpiqen me forcë ta imponojnë vetën me ideologji të mbrapshta, të tillëve duhet t’u kundërvihemi me fuqi.
Kësaj ngjarje, Kurani i kushtoi një kujdes të veçantë, ngase një sure e tërë flet për ndodhitë e saj. Kjo ditë në Kuranin Famëlartë njihet si (يوم الفرقان) “Dita e ndarjes se të vërtetës nga e pavërteta”.
Pas plotë 15 vitesh nga fillimi i shpalljes, gjatë të cilave Muhamedi a.s. së bashku me shokët e tij përjetuan plaçkitje, persekutime dhe tortura të ndryshme, më në fund kishte ardhur koha që muslimanët ta impononin veten e tyre si faktor i rëndësishëm në Gadishullin Arabik.
E gjithë kjo ndodhi pikërisht pas fitores së madhe që arritën në Luftën e Bedrit.
Nuk do të ndalemi për të dhënë detaje historike nga kjo Luftë e rëndësishme, por do të përpiqemi të ofrojmë disa nga mësimet e shumta pedagogjike që mund të nxirren prej saj, e që të njëjtat edhe sot e kësaj dite janë aktuale e të nevojshme.
Prej këtyre mësimeve veçojmë:
1. Parimi i konsultimit
Prej mësimeve më të fuqishme që mund të përfitohen nga kjo luftë është ligjësimi i parimit të konsultimit. Edhe krahas asaj që Muhamedi a.s. ishte i Dërguar dhe kishte mbështetje të vahjit, ai megjithatë në jetën e tij përdorte parimin e konsultimit. Pikërisht në këtë luftë, ai praktikoi këtë parim katër herë. Herën e parë ishte konsultimi me shokët e tij rreth sulmimit të karavanit të Ebu Sufjanit. Herën e dytë konsultimi rreth vendimit të luftës, pasi politeistët kishin marrë vendim për luftë. Herën e tretë konsultimi rreth asaj se në cilin vend duhet të pozicionohet ushtria dhe herën e katërt konsultimi rreth vendimit në lidhje me robërit e luftës. Katër konsultime në një ngjarje, krahas asaj se ai kishte mundësi të plotë të merrte vendime pa konsultuar askënd. Mirëpo, ai deshti t’i mësojë të gjithë prijësit islam se mënyra e arritjes së sukseseve qëndron pikërisht në konsultimin me ekspertët e çdo fushe. Për këtë ekziston konsensus mes muslimaëve që për çdo çështje që nuk ka ajet ose hadith, konsultimi të jetë legjislativë e përhershme, që nuk lejohet të braktiset.
2. Marrja në konsideratë e të gjitha masave të duhura shpirtërore dhe materiale
Prej mësimeve më të rëndësishme nga Lufta e Bedrit është edhe ajo se njeriu në mënyrë individuale ose kolektive duhet të marrë në konsideratë të gjitha masat e duhura shpirtërore dhe materiale që çojnë në realizimin e objektivave. Kështu Muhamedi a.s. i bëri përgatitjet e duhura. Përgatiti ushtrinë në nivelin më të lartë, bëri përgatitjen shpirtërore të tyre duke i nxitur për luftë, shfrytëzoi të gjitha mjetet materiale që i kishte në disponim, pozicionoi ushtrinë në vendin më të përshtatshëm, caktoi komandantët e ushtrisë dhe pas gjithë kësaj u mbështet në ndihmën e Allahut.
3. Mbështetja në informatorë dhe vëzhgues
Udhëheqësit i lejohet që të ndihmohet me informatorë dhe vëzhgues, duke i infiltruar ata në mesin e armikut, me qëllim të zbulimit të taktikave, gjendjes dhe fuqisë, duke përfshirë numrin e ushtarëve dhe armatimin e tyre.
4. Drejtimi tek Allahu me kërkesë për ndihmë
Krahas asaj, se Muhamedi a.s. i kishte marrë në konsideratë gjitha masat e duhura materiale, ai nuk ndalej me lutjet e tij drejtuar Allahut gjatë gjithë natës. Me këtë, ai deshti të na mësojë të gjithëve se marrje e masave janë vetëm shkaqe, ndërsa ndihmës i vërtetë është Allahu i Lartëmadhëruar. Shfaqja e nevojës drejtuar Allahut dhe shprehja e të qenurit rob i Allahut është çështja më e rëndësishme në raportin Zot-njeri. Fitorja, sado që të merren në konsideratë parakushtet dhe mjetet gjatë realizimit të saj, nuk vjen përpos prej Allahut. (وما النصر إلا من عند الله) “Fitorja dhe suksesi nuk vjen nga askush, përpos Allahut”.
5. Dashuria ndaj udhëheqësit dhe mbrojtja e tij
Prej mësimeve të rëndësishme të Bedrit është edhe dashuria ndaj udhëheqësit dhe mbrojtja e tij. Kjo shihet qartë në dashurinë dhe kujdesin që shprehën shokët e tij ndaj Muhamedit a.s.
Po ashtu ngritja e një tende për Muhamedin a.s. prej ku udhëhiqte rrjedhat e luftës, si dhe mbrohej nga sulmet e armikut.
6. Nxitja e luftëtarëve dhe ngritja e moralit të ushtarëve
Pasi momenti ishte moment lufte dhe rasti e kërkonte ngritjen e moralit të ushtarëve, Muhamedi a.s. u fliste ushtarëve për rëndësinë e luftës në rrugë të Allahut, respektivisht fitores ose rënien dëshmorë. Kjo nxitje dhe ngritje e moralit të ushtarëve bëri që sahabët krahas Muhamedit a.s. të tregojnë gjithë trimërinë e tyre duke flijuar edhe shpirtrat e tyre për idealin dhe besimin që kishin pranuar.
7. Përdorimi i metodave të ndryshme ushtarake gjatë luftës
Në këtë luftë, Muhamedi a.s. së bashku me shokët e tij përdorën të gjitha metodat e ndryshme ushtarake, siç ishte rasti i radhitjes së ushtarëve në rreshta, gjë që nuk ishte e zakontë tek arabët më parë. Po ashtu urdhëri për gjuajtjen me shigjeta nga distancë jo e largët, me qëllim të ruajtjes së municionit dhe shfrytëzimi i kushteve natyrore të favorshme.
8. Arritja e fitores me besim dhe vendosmëri, e jo me numër
Lufta e Bedrit na mëson se fitorja nuk arrihet vetëm me fuqi ushtarake, e as me numër të madh të ushtarëve, ndonëse të gjitha këto kërkohen, por më e rëndësishme është ekzistimi i idealit te luftëtarët, respektivisht bindja dhe besimi i plotë. Numri i luftëtarëve muslimanë ishte 314, ndërsa i politeistëve 950, megjithatë muslimanët kur i morën të gjitha masat e duhura shpirtërore dhe materiale, erdhi ndihma nga ana e Allahut me një numër të madh të melaikeve.
9. Domosdoshmëria e uniteti dhe menjanimi i mosmarrveshjeve
Një prej shkaqeve më të rëndësishme që sjellin fuqi është edhe ruajtja e unitetit dhe manjanimi i gjitha mosmarrveshjeve. Pas fitores në luftën e Bedrit, ndodhën ca mosmarrveshje në mes luftëtarëve musliman rreth plaçkave të luftës si dhe kush është më meritor për to. Mirëpo, Kurani menjëherë e trajtoi këtë problematikë dhe ndërpreu të gjitha llojet e mosmarrveshjeve duke e treguar mënyrën e ndarjes së plaçkave dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së unitetit dhe menjanimin e mosmarrveshjeve. Kurani këtë problematikë e trajtoi me fjalët: “Të pyesin për plaçkat e luftës. Thuaj: Ato i takojnë Allahut dhe të dërguarit të Tij. Kini frikërespekt ndaj Allahut, përmirësoni gjendjen tuaj dhe nënshtronu Allahut dhe të dërguarit e Tij”.

10. Drejtësia në ndarjen e pasurisë së përbashkët
Nga Lufta e Bedrit fitohet edhe një mësim shumë i rëndësishëm për udhëheqësit muslimanë. Ky mësim flet për domosdoshmërinë e drejtësisë gjatë ndarjes së pasurisë së përbashkët. Ku secili antarë i shoqërisë islame e merr atë që i takon, varësisht prej aftësive të tij dhe shërbimit që e bën në shoqëri. Kjo vërehet qartë në luftën e Bedrit ku Muhamedi a.s. të gjithë luftëtarët i bëri hisedar në plaçkat e luftës, bile përfshiu edhe nëntë persona që nuk kishin marrë pjesë në luftë, por ishin të angazhuar me detyra të tjera.
11. Robërit e luftës dhe interesimi i Muhamedi a.s. për diturinë
Lufta e Bedrit rezultoi me fitore të madhe për muslimanët. Në të u vranë një numër i konsiderueshëm i politeistëve dhe 70 të tjerë u zunë rob. Muhamedi a.s. robërve të luftës u dha mundësinë që të shpaguajnë veten me të holla, ndërsa ata që nuk kishin një mundësi të tillë i obligoi që secili prej tyre t’ua mësonte 10 fëmijëve muslimanë shkrim-leximin. Këtu shihet qartë interesimi i Muhamedit a.s. për shkrim-leximin, respektivisht diturinë edhe në kushte lufte.
12. Nderimi i dëshmorëve dhe kujdesi për familjet e tyre
Lufta e Bedrit na mëson të nderojmë dëshmorët dhe të kujdesemi për familjet e tyre. Kjo shihet qartë kur Muhamedi a.s. ndau nga plaçka e luftës një pjesë edhe për familjet e dëshmorëve.

Urime kjo ngjarje e rëndësishme historike, me shpresë që të gjithë të përfitojm prej mësimeve të saj.
Ves selamu alejkum ve rehmetullah!

Comments