Meta heq dorë nga Presidenca: Nuk është synimi im

157

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tregon se në darkën me kryeministrin Rama pak netë më parë, pati shkëmbim mendimesh, u fol për protestën dhe për shqetësimin se rruga e nisur nga opozita mund ta çojë drejt një situate jo pozitive.

Meta theksoi se ka qenë një darkë normale, ku nuk është konsumuar asgjë, por “të paktën kemi pirë ujë…”

I ftuar në emisonin “Zonë e Lirë”, ai mohoi kategorikisht se do të kandidonte për President të Republikës, por shtoi se një propozim i tillë duhet të bëhet sa më në mënyrë konsensuale.

“E refuzoj, nuk është ky synimi im. Çështja e Presidentit është çështje serioziteti. LSI nuk ka asnjë kusht apo synim që të përdorë çështjen e Presidentit, për interesa të saj qoftë dhe elektorale”, tha ai.

Meta tha se do t’i qëndrojë Lëvizjes Socialiste për Integrim, “Vendi ka plot njerëz më të mençur e më të mirë për President. Unë nuk synoj këtë gjë dhe e kam përjashtuar”.

Më tej Meta tha se Presidenti do të zgjidhet nga ky Parlament dhe se nuk do të shtyhet. Sipas tij, Presidenti duhet të jetë sa më konsensual të jetë e mundur.

I pyetur nëse Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë në zgjedhje me Partinë Socialiste dhe do e vijojë koalicionion, ai u shpreh se, “Jemi në koalicion, për vendimet e ardhshme nuk vendos dot unë”.

Kryeparlamentari tha se nuk do ta refuzonte asnjëherë të takohej me kreun e opozitës Basha, duke pranuar se një gjë e tillë ka ndodhur përpara votimit të reformës në drejtësi.

Comments