Mickoski: Javën e ardhshme do t’i ndajmë rrugët me Taravarin

Kryeministri Hristijan Mickoski sot për herë të parë ka konfirmuar se kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari do të dalë nga Qeveria. Ai tha se, Taravari dhe disa persona rreth tij janë të vendosur që të kthehen në përqafimin e Ali Ahmetit dhe BDI-së. Kryeministri theksoi se, i uron fat dhe javën e ardhshme do të ketë një takim përfundimtar, ku do të përmbledhin se çfarë është bërë deri më tani.
Hristijan Mickoski, Kryeminisër i RMV-së
“Gjëja që më së paku që kam pritur është që të kthehet në përqafimin e Ali Ahmetit dhe të tjerëve, por megjithatë ky është vendimi i tij dhe jam i bindur dhe është vendimi i një numri të vogël të personave dhe se ajo nuk është vendim i anëtarësisë së Aleancës për Shqiptarët dhe numrit më të madh të atyre që janë pjesë e kësaj qeverie”.

Mickoski tha se do të ishte e ndershme nëse këtë e kishte bërë vet, por po bëhet gjithnjë më e sigurt se ai po kthehet në përqafimin e gjithë atyre që për dy dekada kanë kriminalizuar Maqedoninë.
Hristijan Mickoski, Kryeminisër i RMV-së
“Është përzgjedhje e tyre, pres që këtë javë të pijmë një kafe, unë do ta ftoj dhe më pas pres, për shkak se Qeveria është e fortë stabile ka shumicë të fortë në Kuvend, të vazhdojë me procesin reformues, projekte për qytetarët, atë që qytetarët e presin nga ne”.
Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, deklaroi mbrëmë gjatë një aktiviteti partiak se është më mirë të dalë në opozitë, ndërsa ka mohuar se subjekti i tij do të bëhet pjesë e koalicionit politik “Fronti Evropian”.