Mickoski: Me miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë, Marrëveshja e Ohrit është kapitull i mbyllur
Me një seancë të posaçme qeveria shënoi 24 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit të cilën e konsideruan si bazë të shtetit unitar dhe bashkëjetesës ndëretnike. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se kjo marrëveshje është keqpërdorur por se në qeverinë e tij nuk ka më vend për individë dhe struktura që krijojnë kriza politike dhe etnike, që më pas të imponohen si zgjidhje. Ai e quajti Marrëveshjen kapitull të mbyllur, me miratimin e ligjit për përfaqësim të drejtë.
“Ky dokument, kjo marrëveshje kornizë, është marrëveshje që për fat të keq është keqpërdorur gjatë kohë nga individë. Mbi 20 vjet kemi pasur struktura që e kanë përdorur nacionalizmin si mburojë më të mirë për mbrojtjen e krimit dhe të interesave personale. Nacionalizmi i tillë është streha e fundit e atyre që bënë karriera, fituan kapital të lartë në kurriz të popullit të cilin e ndajnë dhe mbi bazën e të cilave ndarje mbijetojnë në politikë. E vërteta është se shenja më e madhe e Marrëveshjes së Ohrit është që kjo qeveri përmes miratimit të ligjit për përfaqësim të drejtë e plotësoi edhe detyrimin e fundit dhe nuk ka më shumë çështje të hapura në këtë drejtim. Si kapitull i mbyllur Marrëveshja e Ohrit mbetet si dëshmi për nevojën për bashkim në plotësimin e qëllimeve të përbashkëta”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Zv.kryeministri Izet Mexhiti u zotua se punojnë për krijimin e një barazie reale. Ai i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të jetë garantuese e barazisë dhe Marrëveshjes së Ohrit.
“Qeveria që përfaqësoj është e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi ligjor dhe institucional që garanton barazi reale, jo vetëm formale. Kjo nuk është thjeshtë një detyrë ligjore, është mision politik dhe moral sepse pasojat e barazisë formale po i ndjejmë të gjithë sot. Pasojë e barazisë formale është ligji gjysmak për përdorimin e gjuhës shqipe i cili po kontestohet në Gjykatën Kushtetuese por edhe mekanizmi i balancuesit të cilin e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese në vendet sikur i joni duhet të jetë garantues i barazisë kushtetuese, duhet të jetë mbrojtëse e marrëveshjeve politike themelore, e mekanizmave që burojnë nga një marrëveshje paqësore. Ajo duhet t’i respektojë dhe interpretojë me qëllim ruajtjen e balancit etnik në shtet”, tha Izet Mexhiti, Zv.kryeministër.
Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001 në Ohër, duke i dhënë fund konfliktit të armatosur mes forcave të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Dokumenti u negociua me ndërmjetësimit e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë përfaqësues të SHBA-së dhe BE-së. Marrëveshja synonte ruajtjen e integritetit territorial të shtetit, por njëkohësisht garantimin e të drejtave kolektive dhe individuale të shqiptarëve. /Alsat.mk

