Mitko Çavkov ende nuk ka dhënë dëshmi, prokuroria merr në pyetje dëshmitarët për dhunën e 27 prillit

433
fresco

Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, tani për tani nuk ka informata se kur do të dëshmojë ish drejtori i BSP-së, Mitko Çavkov në lidhje me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit. Nga kjo prokurori , e cila para pak kohe e filloi hetimin për dhunën në Kuvend, nuk zbulojnë se kur do të merren në pyetje deputetët Kërsto Mukoski, Sasho Vasilevski dhe Johan Tarçulovski të cilët, siç mund të shihet në kamerat e sigurimit, i hapin dyert e Kuvendit. Prej atje thonë se po punohet në mënyrë aktive për këtë lëndë dhe se në këtë periudhë merren në pyetje dëshmitarë dhe persona të cilët kanë marrë pjesë në këto ngjarje.

“Në pajtim me orarin e bërë, thirren dëshmitarë dhe persona të cilët kanë marrë pjesë në ngjarje. Duke marrë parasysh fshehtësinë e procedurës para hetimore, nuk mundemi të zbulojmë detaje që do të ndikonin në zhvillimin e kësaj procedure”, nga PPTH.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në deklaratë për TV21 thotë se të gjithë materialet ai ia ka dorëzuar MPB-së dhe pret që organet kompetente ta vërtetojnë përgjegjshmërinë penale.

“Unë tani nuk merrem me ngjarjet e 27 prillit, për shkak se në fokusin tim janë prioritetet e Kuvendit për punën e mëtejshme. Lënda që ka të bëjë me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit është në duart e organeve kompetente të RM-së që duhet ti zbatojnë procedurat ligjore për personat që dyshohen se kanë pasur implikim penal në lidhje me ngjarjet e 27 prillit”, tha Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të RM-së.

midle

Analistët të cilët i kontaktuam , thonë se hetimi duhet të orientohet drejt kreut të Shtabit operativ të BSP-së, për të cilin edhe në Raportin e grupit të ekspertëve pranë MPB-së thuhet se ka përgjegjësi për dhunën në Kuvend. Ish krye shefi i policisë, Lubomir Gjurçevski thotë se bëhet fjalë për mos kryerjen e detyrës nga ana e forcave policore, gjë që tregon se ka pasur një grup të organizuar.

“Së pari duhet të mbajnë përgjegjësi krerët e policisë, ata që e kanë përgjegjësinë komanduese të argjendtë dhe të bronztë në ministri. Më pas, përgjegjësia të kërkohet tek kryerësit e drejtpërdrejtë, edhe pse disa veprime policore kryhen vetëm me urdhër të lëshuar. Pra, pa urdhër të lëshuar, zyrtarët policorë për kryerjen e disa detyrave të caktuara nuk mund të veprojnë. Megjithatë, kjo gjë nuk vlen edhe për policët që janë në detyrë, përkatësisht, kjo gjë nuk vlen për sigurimin e brendshëm që e ka siguruar Kuvendin më 27 prill”, tha Lubomir Gjurçevski, Ish Krye shefi i MPB-së.

Prokuroria para vetes duhet ta ketë Raportin e MPB-së, i cili edhe pse nuk jep kualifikim juridik të veprave penale, megjithatë sugjeron në provat e veprave penale, thotë avokati Tushe Goshev.

“Raporti i MPB-së nuk duhet ta kufizojë hetimin e prokurorisë për disa vepra penale. MPB-ja nuk mund të bëjë kualifikim juridik të ngjarjeve që kanë ndodhur. Raporti i MPB-së bëhet vetëm për t’i vërtetuar faktet, edhe atë të vërtetojë autenticitetin e provave që duhet të jenë bazë për ngritje të akuzave, të dëshmojë vërtetësinë e provave, dhe t’i dëshmojë provat relevante që me siguri të plotë do t’i vërtetojnë faktet”, u shpreh Tushe Goshev, avokat.

Jozyrtarisht mësohet se në prokurori janë thirrur për të dëshmuar edhe disa komandantë të policisë që kanë qenë përgjegjës për dhënien e urdhrave për të vepruar. Informata e fundit nga Prokuroria në lidhje me Raportin e MPB-së ishte se prokurorët tanimë e kanë analizuar atë raport. 21Maqedoni

Comments