Mojtaba Khamenei zgjidhet lideri suprem i Iranit, Trump: Do ta vrasim

115

Në ditën e nëntë të konfliktit në Lindjen e Mesme, Asambleja e Ekspertëve të Iranit zbuloi se ka vendosur për pasardhësin e Ali Khameneit, djalin e tij Mojtaba.

Paralajmërimin e dha në një video të transmetuar nga mediat iraniane, Hosseinali Eshkevari, i cili tha se “çështja e përcaktimit të udhëheqje është përfunduar dhe emri i Khameneit do të vazhdojë”.

Ai theksoi se vota është hedhur nga 88 anëtarët e Këshillit dhe se nuk ka nevojë për shqetësim.

56-vjeçari është një klerik i rangut të mesëm që nuk mban një rol zyrtar në regjim, por që dihet se ka lidhje të forta me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka qenë kundër mënyrës së zgjedhjes të liderit të ri suprem, duke deklaruar se emërimi i Khameneit si pasardhës i babait të tij do të ishte “i papranueshëm” për të dhe se një miratim duhet të merret dhe nga SHBA-të.

Trump, deklaroi se nuk është më i interesuar për negociata të mëtejshme me Iranin, ndërsa theksoi se lideri i Iranit “nuk do të zgjasë shumë”. “Nuk mendoj se do të mbetet më ndonjë njeri atje që të mund të na thotë ‘Ne dorëzohemi’”, shkruan voxnews.al.

Ndërsa, shpërthime të forta u dëgjuan ne Iran mbrëmjen e së dielës. Teherani është i mbuluar nga retë toksike, kështu që iranianët po jetojnë në një situatë frike dhe ankthi për atë që do të vijë dhe atë që kanë parë në 24 orët e fundit.

Në shënjestër të sulmeve izraelito-amerikane janë infrastruktura kritike, veçanërisht ndaj depozitave të karburantit në Teheran. Qeveria e Iranit ka njoftuar një valë të re të asaj që e quan Operacioni Premtimi i Vërtetë, me raketa dhe dronë të lëshuar kundër Izraelit dhe objektivave të tjerë në Lindjen e Mesme.

Në shënjestër, veç Izraelit, janë edhe Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini dhe Kuvajti. Një ndërtesë qeveritare në Kuvajt u përfshi nga flakët gjatë natës pas një sulmi me dron. Ndërsa dy persona, shtetas të huaj, mbetën të vdekur dhe 12 të tjerë të plagosur në Arabinë Saudite nga një predhë që ra mbi një zonë të banuar.

Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite ka vijuar fushatën ushtarake ndaj Hezbollahut. Të paktën 16 persona janë vrarë nga bombardimet e fundit, duke e çuar numrin e viktimave në Liban në 394.

Comments