Mosmarrëveshje rreth transportit të grurit në Vushtrri, përdorët edhe arma
Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri pas një incidenti të rëndë që ndodhi dje pasdite, ku një qytetar u sulmua fizikisht dhe ndaj tij u shtie me armë zjarri.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje rreth çështjeve të transportit të grurit.
Sipas Policisë, i dyshuari mashkull kosovar, së bashku me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë sulmuar fizikisht viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjatë incidentit, njëri nga të dyshuarit ka shtënë edhe me armë zjarri.
Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes njësitet policore kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator dhe dy gëzhoja.
“Vushtrri / 05.07.2025 – 18:00. Është arrestuar i dyshuari m/k i cili pas një mosmarrëveshje (rreth transportit të grurit) së bashku edhe me dy persona tjerë kanë sulmuar fizikisht viktimën m/k, të cilit i kanë shkaktuar lëndime dhe po ashtu i dyshuari ka shtënë me armë zjarri. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator dhe dy gëzhoja. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit tjerë të përfshirë ende janë arrati”, njofton policia.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.