MPJ e Bullgarisë: Ku janë 100 mijë “bullgarët” që kanë aplikuar për pasaportë?
Edhe për bullgarët, rezultatet e regjistrimit janë të befasishme. Në një reagim të Ministrisë së Punëve të Jashtme bullgare ngritet pikëpyetja se si ka mundësi që në regjistrim, kanë dalë 3 504 bullgarë, kur 100 000 shtetas të Maqedonisë së Veriut, personalisht kanë aplikuar për pasaporta bullgare.
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME E BULLGARISË
“Me befasi të madhe i pranojmë të dhënat e publikuara për numrin e qytetarëve që janë deklaruar si bullgarë në regjistrimin e popullsisë në vend. Vëmë re se ka një mospërputhje drastike mes këtyre dhe të dhënave për numrin prej mbi 100.000 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët personalisht kanë dorëzuar dokumente që vërtetojnë origjinën dhe vetëdijen bullgare për të marrë nënshtetësi bullgare. Objekt analize serioze është fakti se në vend për 7.2 për qind të qytetarëve të dhënat janë marrë nga bazat e të dhënave dhe nuk numërohen aktivisht në terren, përkatësisht janë të regjistruara pa u përcaktuar përkatësia etnike apo fetare”.
Ata gjithashtu theksojnë se nuk ka të dhëna për numrin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që janë në diasporë, të cilët janë deklaruar si bullgarë.
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME E BULLGARISË
“I marrim parasysh dyshimet për transparencën dhe besueshmërinë e procesit të shprehura nga organizatat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut gjatë regjistrimit dhe publikimit të rezultateve. Presim që zëri i tyre të dëgjohet edhe nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut”.
Ndryshe, rezultatet e regjistrimit të popullsisë së Maqedonisë së Veriut u publikuan më 30 mars. Tashmë, pothuajse të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në vend, janë shprehur të pakënaqura nga rezultatet dhe që të gjitha pretendojnë se janë në numër më shumë se sa kanë dalë në këto rezultate.