MPL dhe UNDP: Do të riparohen digat mbi lumin Shkumbin

420

Ministria e Pushtetit Lokal dhe UNDP kanë nënshkruar marrëveshje për rekonstruimin e pikave kritike të lumit Shkumbin në rajonin e Pollogut…

Analizat e UNDP-së konstatuan se pas përmbytjeve të vitit të kaluar në Tetovë, që shkaktuan dëme të shumta dhe viktima në njerëz, është e nevojshme të intervenohet në riparimin e digave të dëmtuara dhe për ndërtimin e tri digave të reja mbi lumin Shkumbin.
“Ne do të ndajmë 330 mijë euro për rregullimin e pikave më kritike, të cilat janë kërcënim potencial dhe i drejtpërdrejtë për rreth 120 mijë banorë dhe njëherit kërcënim edhe për sigurinë e 300 mijë banorëve të rajonit të Pollogut”,– deklaroi ministrja e Pushtetit Lokal, Shyrete Elezi.
“Në disa raste është e nevojshme të investohet në infrastrukturë, siç janë pendat, të cilat do t’i rregullojmë në rrjedhën e epërme të lumit Shkumbin mbi Tetovë, me qëllim të zvogëlimit të shpejtësisë së ujit dhe të pengimit të mjeteve të forta, të cilat i bart uji. Ne besojmë se gjithandej investimi në parandalim jep rezultate të mira”,– tha përfaqësuesja e UNDP-së në Maqedoni, Luiza Vinton.
Rekonstruimi vjen pas një analize të thellë mbi rreziqet  potenciale nga përmbytjet në regjionin e Pollogut, pas përmbytjeve gjatë vitit të kaluar kur pati edhe viktima.
Pikat më kritike janë vlerësuar tri digat e dëmtuara pjesërisht dhe tri digat e shkatërruara plotësisht mbi lumin Shkumbin, pastrimin e shtratit të lumit dhe rehabilitimin e tij në gjatësi prej rreth 2 kilometra dhe rregullimin rrjedhës në zonën urbane, në gjatësi prej 1 kilometër.
Comments