Mungesa e vullnetit politik rrezikon të ardhmen evropiane të vendit!

139

Çfarë po ndodh në Maqedoni të Veriut?

Prononcimi i sotëm i Kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili deklaroi qartë se “në këtë moment nuk ka kushte politike për ndryshimet kushtetuese”, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj perspektivës evropiane të vendit dhe një sinjal alarmi për të gjithë qytetarët.
Ky qëndrim nuk është thjesht hezitim politik, është refuzim i hapur për të përmbushur obligimet ndërkombëtare që rrjedhin nga “Propozimi Francez”, duke vënë në pikëpyetje serioze orientimin strategjik të shtetit.

Mosveprimi i qëllimshëm për ndryshimet kushtetuese ngre dyshime të forta se ndikimet e jashtme, veçanërisht ato nga politika serbe, vazhdojnë të diktojnë ritmin dhe drejtimin e vendimmarrjes në vend.

Akoma më shqetësuese është heshtja dhe pafuqia e faktorit politik shqiptar brenda qeverisë, i cili ka dështuar të ushtrojë presion real ndaj partnerëve të koalicionit si VMRO-DPMNE dhe ZNAM. Kjo nuk është më çështje taktike politike, por përgjegjësi direkte për bllokimin e rrugës evropiane të vendit.

Në këtë situatë, opozita shqiptare nuk ka më luksin e heshtjes. Ajo duhet të marrë rolin që i takon, duke mobilizuar qytetarët përmes mjeteve demokratike dhe protestave paqësore, për të kundërshtuar këtë devijim të rrezikshëm dhe për të rikthyer fokusin drejt integrimit në Bashkimi Evropian.

Integrimi evropian nuk është çështje dëshire apo komoditeti politik. Është domosdoshmëri strategjike dhe garancia e vetme për stabilitet, zhvillim dhe të ardhme të sigurt të rajonit dhe veçanërisht për Maqedoninë e Veriut.

Comments