Murati i VV-së: Dëshira për të pasur qeveri nuk duhet të na çojë te një marrëveshje e keqe

437
fresco

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se Vetëvendosja nuk insiston në ministri e poste për të rehatuar emra të përveçëm.

Murati përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka thënë se emrat e kabinetit qeveritar të propozuar nga Kurti e kanë vërtetuar se Vetëvendosja nuk e ka qëllimin vetëm të pushtetit, raporton Gazeta Express.

“Se nuk e kemi për poste e pushtet, besoj u vërtetua me emrat e kabinetit Kurti”, ka shkruar Murati.

Ai po ashtu ka thënë se synimi i VV-së është që të krijojë qeveri funksionale që nxjerr vendin nga humnera.

Tutje, Murati ka shkruar se nuk duhet të nxitohet që të bëhet një marrëveshje e keqe.

“E kuptoj se shumë prej jush e prisni me padurim krijimin e qeverisë së re. Të gjithë po e presim. Por nuk duhet që dëshira e sinqertë për formim sa më të shpejtë të qeverisë të na nxitojë drejt një marrëveshjeje të keqe”, ka shkruar Murati.

Ndryshe, VV-ja dhe LDK-ja janë duke zhvilluar takimin e radhës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. /GazetaExpress/

Comments