Ndërroi jetë veprimtari dhe profesori i shquar, prof.dr.Nazmi Maliqi

Sot në moshën 66 vjeçare ndërroi jetë veprimtari i njohur dhe profesori universitar, prof.dr.Nazmi Maliqi.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarë dhe miq, ndërsa varrimi do bëhet sot pasdite në varrezat e qytetit të Kumanovës.
Prof.Dr. Nazmi Maliqi ka lindur më 18 mars 1957 në fshatin Stançiq komuna e Gjilanit. Prej shtatorit të vitit 1962, si fëmi, me familjen e tij u shpërngulën në Kumanovë.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Kumanovë. Më pas studimet e larta i filloi më 1976/1977 në Akademinë Ushtarake në Beograd dhe i ka mbaruar në vitin 1980, në Fakultetin e shkencave shoqërore në degën e Mbrojtjes në Universitetin e Beogradit.
Studimet posdiplomike në lëmine e mbrojtjes dhe studimeve paqësore Nazmi Maliqi i filloi në dhjetor të vitit 1994 në Fakultetin Filozofik në Shkup. Tezën e magjistraturës “Toleranca politike si faktor i paqes dhe i sigurisë” e mbrojti më 07 korrik 1999.
Hulumtimet e doktoraturës i filloi më 17 dhjetor të vitit 2001, në Institutin për Hulumtime Sociologjike dhe Juridke – Politike në Shkup. Tezën e doktoraturës “Afrimi i Maqedonisë në NATO”, e mbrojti më 04 tetor të vitit 2003, ku edhe fitoi titullin e Doktorit të shkencave politike.