Ndryshimi i madh i Kurtit: Si u pa në sytë e opinionit publik?
Vendimi i Qeverisë së Kosovës, për reciprocitet në targa dhe dokumente serbe, shtyu serbët lokalë në veri që më 31 korrik, të vendosnin barrikada në rrugët që çonin në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak. Dy ditë pas kësaj, barrikadat në veri, fatmirësisht janë hequr dhe ka filluar normalizimi në dy pikat kufitare. Kjo erdhi, pasi Qeveria e Kosovës, shtyu vendimin për zbatimin e reciprocitetit (targa dhe dokumente), pas kërkesës së Ambasadës amerikane në Prishtinë. Por, si u komentua ndryshimi i Kurtit, në opinionin publik kosovar?
Dëgjimi i këshillës amerikane për Kosovën, lidhur me situatën e fundit në veri, është përshëndetur edhe nga kritikët e kryeministrit Kurti, por nuk ka shpëtuar pa u komentuar ajo se si erdhi deri te ndryshimi i madh i kryeministrit, duke qenë se në arkivin virtual, ekzistojnë dhjetëra-qindra deklarata cinike, ironike e kritike të tij, ndaj politikanëve që ‘binin pre e trysnisë ndërkombëtare’.
Njëra ku thuhej se ishte kureshtar ta merrte vesh se ‘si duket trysnia ndërkombëtare’, iu rikthye kryeministrit gjatë orëve të fundit, si kujtesë nga zmbrapsja 30 ditëshe në vendimin për reciprocitet në targa e dokumente serbe.
“Nuk ka trysni mbi mua, nuk ka presion mbi mua. Ata që kanë përjetuar trysni, duhet ta tregojnë se si duket ajo trysni. Unë edhe më tutje jam kureshtar ta marr vesh se si duket ajo trysni ndërkombëtare’”, do të deklaronte Kurti në vitin 2020.
Për profesorin dhe analistin Blerim Latifi, dështimi me vizitën e parë të Kurtit në ShBA, ‘me gjasë mund të ketë qenë një leksion për kryeministrin’.
“Dështimi në vizitën e parë në SHBA, me gjasë Kurtit do t’i ketë shërbyer për ta marrë leksionin e domosdoshëm, të cilin e dinin të gjithë paraardhësit e tij: Nuk mund të qeverisësh në Kosovë duke injoruar qëndrimet dhe kërkesat amerikane.
Në vizitën e dytë Kurti duhet t’ua ketë bërë të qartë amerikanëve se tanimë e ka kuptuar mirë leksionin në fjalë. Testi i parë provues për këtë ishte pardje në veriun e Kosovës”, shkroi Latifi këtu në Facebook, përcjell Periskopi.
Për gazetarin Valon Syla, pikpyetje mbetet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që VV dhe Kurti, i referohej si ‘Zajednicë’. A do ta jap Zajednicën, pyet Syla, në shkrimin në Facebook, që të plotë mund ta lexoni këtu.
“A po bjen në brazdë Amerika me Albin Kurtin, më në fund, apo vet Kurti paska vendos me u bo servil qysh thojke për të tjerët aleatë amerikan nga Kosova.
Te kqyrim, çka po jep tash Kurti… sa servil do të jetë dhe kush do ta mbështes në këtë rrugë. A do ta jep Zajednicën? Apo krejt ato që i ka refuzu me lotsjellës dhe dhunë e që i ka pështy deri tash, do ti lëpin. A do ta mbështesin gjysma tjetër e Kosovës që u linçuan, u sulmuan, u shpallën tradhtarë e tjerë, që u goditën rrugëve duke ecur me gra e me familje të tyre nga militantë të indoktrinuar me urrejtje ndaj të gjithve që sot Kurti po mundohet ti kopjoj. Besoj se ndryshimi i tij është i vonshëm dhe nuk i kryen punë më, aq sa ndryshimi me vonesë nuk do tja shpaguaj kurrë Kosovës 8 vjet kohe të humbura… dhe te kqyrim, prej shtatorit”, shkruan Syla, përcjell Periskopi.
Për gazetarin Ilir Mirena, kjo çështja e koordinimit ose jo me faktorin ndërkombëtar, shihet kështu:
“Pasi Kurti e mori nje shpulle poshtnuese kur 5 minuta para mesnate e pezulloi vendimin per reciprocitet, tash po pritni qe edhe me i thone ‘s’eshte koordinu me neve’ a?
Ky po hyne n’brazde kadale kadale, kshtu qe here ja japin nje karrote here nje shpulle. Parmbrame e mori nje shpulle, sot nje karrote t’vogel…
Deri te kryen Zajednicen…”, shkroi ai në Facebook.
ÇKA KËRKOI TË DINTE OPOZITA?
Për të gjitha këto zhvillime të dy ditëve të fundit në vend, opozita kosovare, kërkonte ta hiqte një dilemë: A kishte koordinim në mes të Qeverisë dhe Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar për masat e fundit në veri.
Këtë dilemë, e hoqi ambasadori amerikan në Prishtinë, zoti Jeff Hovenier, i cili bëri me dije se ‘kishte koordinim’.
E për këtë, ambasadorin e falënderon gazetari i njohur, Astrit Gashi, duke i thënë se ‘këto informata duhej t’i merrnim nga qeveria jonë’. /Periskopi