Numri i foshnjave të braktisura ka shënuar rënie krahasuar me vitin e kaluar, ku nga janari i vitit 2016, deri më sot në Kliniken Obstetrike Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë braktisur 20 foshnje, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë 30 foshnje të braktisura.
Këtë e bëri të ditur për KP, mamia në këtë klinikë, Bedrie Dushi, e cila tha se këto foshnje nuk janë vetëm nga Prishtina, por vijnë nga të gjitha qendrat e Kosovës.
“Nga janari i vitit 2016 janë gjithsej 20 fëmijë të braktisur, prej këtyre fëmijë të braktisur janë nga e gjithë Kosova, nuk janë vetëm të Prishtinës, por vijnë prej krejt qendrave të Kosovës. Kur na lajmërojnë që fëmija është braktisur shkoj dhe e marrë deklaratën e nënës dhe i lajmëroj qendrat, prej cilës qendër të Kosovës”, tha ajo.
Sipas Dushit, për këto foshnje të cilat braktisen përkujdeset 28 ditë reparti në Kliniken e Neonatologjisë, kurse, pastaj përkujdeset Qendra për Punë Sociale.
Ndërsa, udhëheqësja e Kujdesit Alternativ Familjarë në SOS fshatrat e fëmijëve të Kosovës, Ariana Shala, bëri të ditur se nga janari i këtij viti deri më sot kanë pasur 11 kërkesa për strehim të foshnjave të braktisura qysh në lindje.
“SOS fshati i fëmijëve ofron përkujdesje për fëmijët të cilët janë braktisur qysh në lindje dhe për fëmijët pa përkujdesje prindërore. Kapaciteti i kujdesit afatshkurtër i foshnjave të braktisura është 18 ditë. Gjatë vitit 2016 kemi pas kërkesa nga Qendra për Punë Sociale për strehimin e foshnjave, kemi pas 11 kërkesa dhe të 11 foshnjat janë pranuara”, tha ajo.
Më tej shtoi se të gjitha kërkesat për ofrimin e përkujdesjes u vijnë nga Qendra për Punë Sociale dhe pastaj duke pasur parasysh kapacitet që i kanë, vendoset se a mund të pranohen këto foshnje.
“Përderisa në aspektin legjislativ Qendra për Punë Sociale është përgjegjëse dhe të gjitha kërkesat adresohen nga qendra për punë sociale, në të gjithë territorin e Kosovës. Mandej varet nga kapaciteti sa ne kemi brenda dhe a ka vende të lira, a ka mundësi që ata fëmijë të strehohen dhe të jenë pjesë e SOS fshatit”, tha Shala.
Numri i foshnjave të braktisura në vitin 2015 ka qenë 30 foshnje, ndërsa në vitin 2014 janë braktisur 37 foshnje.