Nehat Thaçi pritet si hero në Mitrovicë

187
Nehat Thaçi pritet si hero në Mitrovicë

0001Shumë pjesëtarë të policisë në Mitrovicë nuk kanë arritur t’ia shtrëngojnë dorën drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi, i cili sot pak minuta para orës 8:00 ka arritur në vendin e tij të punës.

Strukturat më të larta policore të kësaj drejtorie kishin dal në pritje të drejtorit të tyre, për t’i uruar mirëseardhje dhe suksese të mëtejme në punën e tij.

“Ndjehemi krenarë me ty drejtor, të lumtë për qëndrimin dhe gjithçka tjetër”, thotë mes tjerash njëri prej udhëheqësve të policisë, pasi e puthë në të dyja faqet Thaçin, i cili u lirua më 1 nëntor nga paraburgimi në Serbi.

Nënkoloneli Thaçi nuk ka pranuar të deklarohet para kamerës, por gjatë bisedës me kolegët e tij, ka porositur ata që pavarësisht arrestimit të tij nga autoritetet e Serbisë, të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës të trajtohen barabartë.

Ai kërkoi nga të pranishmit punë dhe angazhim në kryerjen e detyrave, në mënyrë që të arrihen suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.

“Më e rëndësishmja është secili me dhënë kontributin tonë, mos me bë krahasime. Të gjitha komunitetet në Kosovë që jetojnë janë banorë të shtetit tonë, ne duhet me i trajtu barabartë, në asnjë mënyrë kjo kohë e imja mos me reflektu negativisht dhe me punu akoma më shumë në mënyrë që vitin e ardhshëm të jemi më të mirë sesa sivjet”, theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, avokati Musa Damati, ka bërë të ditur për KosovaPress se arrestimi i Nehat Thaçit, përkatësisht nisja e procedurës penale ndaj tij, dhe vetëm një muaj më vonë mbyllja e rastit nga ana e Prokurorisë Speciale në Beograd, është indikatori më i mirë i cili tregon për regjimin e apart’heidit që ende aplikohet në Republikën e Serbisë.

Sipas tij, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të insistojnë që rastet e tilla të zgjidhen me një amnestim të përgjithshëm të të gjithë personave të cilët kanë qenë të involvuar në luftën e Kosovës.

“Fillimi ad hoc i procedurës penale, dhe vetëm një muaj më vonë mbyllja e rastit ndaj zotëri Thaçit nga ana e Prokurorisë Speciale në Beograd, është indikatori më i mirë i cili tregon për regjimin e apart’heidit që ende aplikohet në Republikën e Serbisë, dhe procedurat e tilla penale krejtësisht jo juridike janë në kundërshtim të plotë me nenin 5 dhe 14 të konventës evropiane për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Andaj, mendoj se në këtë kontekst, institucionet e Republikës së Kosovës duhet që në mënyrë permanente të insistojnë që rastet e tilla të zgjidhen me një amnestim të përgjithshëm të të gjithë personave të cilët kanë qenë të involvuar në luftën e fundit për krijimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Damati.

Ndryshe, Nehat Thaqi ishte në paraburgim që nga 28 shtatori, kur u arrestua në bazë të një vendimi të Gjykatës së Lartë në Nish, dhe pastaj u tranferua në Beograd, ku u mor në pyetje në Prokurorinë për Krim të Organizuar, e cila ka hapur procedurën kundër tij për veprën penale terrorizëm, gjë që ai gjatë intervistimit e ka hedhur poshtë.

0002_1257

Comments