Nëna e Shpat Kasapit me mesazh prekës: “Na lini ta përjetojmë dhimbjen në paqe”
Familja Kasapi po kalon momente të rënda dhimbjeje pas ndarjes nga jeta të artistit të njohur Shpat Kasapi.
Nëna e tij ka reaguar publikisht përmes një mesazhi falënderues, ku shpreh mirënjohjen për mbështetjen e madhe që familja ka marrë nga publiku, kolegët, artistët dhe miqtë nga të gjitha trevat shqiptare, përcjell Indeksonline.
Në mesazhin e saj, ajo falënderon në mënyrë të veçantë bashkëshorten e Shpatit, Selvijen, duke e cilësuar si një grua të devotshme, bashkëshorte të përkushtuar dhe nënë shembullore për djalin e tyre, Roelin. Ajo thekson se Shpati kishte një dashuri dhe respekt të veçantë për bashkëshorten e tij, duke e konsideruar shtyllë të familjes së tyre.
Gjithashtu, familja Kasapi shpreh falënderime të sinqerta për familjen Jao, të cilët gjatë gjithë viteve kanë qenë pranë Shpatit dhe Selvijes, duke e trajtuar artistin jo si dhëndër, por si djalin e tyre.
Në reagim, nëna e Shpat Kasapit bën edhe një thirrje të qartë për ndalimin e spekulimeve, duke theksuar se çdo tentativë do të dënohet moralisht dhe ligjërisht.
Në përfundim, ajo falënderon të gjithë ata që kanë shprehur ngushëllime dhe solidaritet, duke e kujtuar Shpat Kasapin si “yllin, dritën dhe birin” e saj, ndërsa familja kërkon qetësi dhe mirëkuptim për të përjetuar dhimbjen në privatësi./Indeksonline/

