Netanyahu: Irani duhet të heqë dorë nga uraniumi dhe të mos prodhojë më

152

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se SHBA-të duhet të kërkojë nga Irani të dorëzojë gjithë uraniumin e pasuruar dhe t’i ndalohet pasurimi i mëtejshëm, si pjesë e çdo marrëveshjeje bërthamore me Teheranin.

Në një fjalim të mbajtur ditën e dielë në Jerusalem, ai përmendi disa kushte që dëshironte të plotësoheshin, duke përfshirë se “i gjithë materiali i pasuruar duhet të largohet nga Irani” dhe se “nuk duhet të ketë aftësi pasurimi”.

Komentet e tij vijnë ndërsa zyrtarët iranianë dhe amerikanë po përgatiten për raundin e dytë të bisedimeve në Zvicër të martën.

Irani do të konsiderojë kompromiset për të arritur një marrëveshje bërthamore nëse SHBA-të janë të gatshme të diskutojnë heqjen e sanksioneve. Të paktën kështu tha për BBC-në në Teheran zëvendësministri i jashtëm iranian Majid Takht-Ravanchi.

Megjithatë, Irani e konsideron pasurimin zero si një vijë të kuqe dhe shkelje të të drejtave të tij sipas traktatit për mos-përhapjen bërthamore.

SHBA-të kanë shtuar presionin mbi Iranin për të arritur një marrëveshje dhe kanë forcuar kapacitetet ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dërguar dy aeroplanmbajtëse, përfshirë anijen më të madhe luftarake në rajon.

Forcat shtesë detare amerikane do të mbrojnë kundër çdo kërcënimi të mundshëm në rajon, tha Sekretari i Shtetit Marco Rubio në një konferencë për shtyp në Sllovaki. Ai shtoi se presidenti Donald Trump “preferon diplomacinë dhe një rezultat të negociuar” mbi sulmet direkte ndaj Iranit.

I dërguari kryesor i Trump-it, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner pritet të takohen me negociatorët iranianë, përfshirë ministrin e jashtëm Abbas Araghchi, i cili po udhëton drejt Gjenevës.

“Nuk ka pasur kurrë një marrëveshje të suksesshme me Iranin, por ne do të provojmë,” tha Rubio.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nga e cila Trump u tërhoq, Irani kishte pranuar të kufizonte aktivitetet e tij bërthamore dhe të lejonte inspektime ndërkombëtare në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike shkatërruese.

Para raundit të fundit të bisedimeve, Takht-Ravanchi i tha BBC-së se Teherani ka ofruar të hollojë uraniumin e pasuruar në nivelin 60% si dëshmi e gatishmërisë për kompromis.

Uraniumi shumë i pasuruar, afër nivelit të armëve, ka shtuar dyshimet se Republika Islamike po lëviz drejt zhvillimit të një arme bërthamore, gjë që ajo gjithmonë e ka mohuar.

“Ne jemi gati të diskutojmë këtë dhe çështje të tjera të lidhura me programin tonë nëse ata janë gati të flasin për sanksionet,” tha Takht-Ravanchi për BBC. Ai nuk konfirmoi nëse kjo nënkuptonte heqjen e të gjitha apo disa sanksioneve.

Ministri i Jashtëm gjithashtu nuk tha nëse Irani do të konsideronte dërgimin jashtë vendit të më shumë se 400 kg uraniumi shumë të pasuruar.

Comments