Nimic: Do të testojmë gatishmërinë për emrin

164

Në prag të mbërritjes në Shkup, përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara në bisedimet midis Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic paralajmëron testim të gatishmërisë së të dyja palëve për kontestin me emrin. Ai në intervistën për “360 gradë”, thotë se vitet e fundit nuk ka qenë koha e përshtatshme për negociatat intensive rreth emrit për arsye të ndryshme, por shprehu shpresë se çështja e emrit përsëri do të jetë temë kryesore mes të dyja vendeve.

Mendoj se kaloi mjaft kohë. Mendoj se të dyja vendet jetojnë së bashku në paqe për 25 vjet. Ka ardhur një brez i ri që e merr në konsideratë kontestin. Ka sfida të tjera në rajon që nuk kanë ekzistuar në vitet e 90 – ta. Pra, ndoshta ka ardhur koha për të ri-shqyrtuar shkaqet e shqetësimit në periudhën kur filloi kontesti. Por duhet të them se kontesti në lidhje me Maqedoninë, si një koncept ende shihet në mënyra të ndryshme nga të dyja vendet- deklaroi ndërmjetësuesi Metju Nimic.

Nimic shtoi se identiteti i grupeve etnike nuk është subjekt i negociatave, sepse Kombet e Bashkuara merren vetëm me shtetet sovrane. Ndërmjetësi për zgjidhjen e kontestit të emrit nesër arrin në Shkup, dhe do të qëndrojë katër ditë. Atë e ftoi qeveria e Maqedonisë për të diskutuar mënyrat e përparimit në bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara. Menjëherë pas vizitës në Shkup, Nimic niset për në Athinë. Intervistën e plotë me ndërmjetësuesin Nimic do ta ndiqni në emisionin e sotëm “360 Gradë” në Alsat M, nga ora 22.30 minuta.

Comments