Nis seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh, njëri prej tyre thotë se nuk ndjehet mirë

59
fresco

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për spiunazh. Të dytë u sollën në sallën gjyqësore të shoqëruar nga pjesëtarë të policisë, shkruan IndeksOnline. Gjyqtari i rastit, Rrahman Beqiri, bëri me dije se pasi seanca e kaluar nuk mund të mbahej, kjo e sotmja do të shqyrtohet nga fillimi.

Por, i akuzuari Bedri Shabani pohoi se, për shkaqe shëndetësore, nuk mund të vijojë seancën. “Jam vizituar nga mjeku brenda burgut. Kam marrë terapi, por çdo 30 minuta jam nën mbikëqyrje të stafit mjekësor. Prandaj nuk jam në gjendje, për shkak të shëndetit, të vazhdoj seancën e sotme”, deklaroi Shabani.

Pas konsultimit të trupit gjykues, u vendos që të ndërpritet seanca, deri në orën 10:20. Gjyqtari Beqiri tha se do të kontaktojnë Shërbimin Korrektues për të marrë raportin mjekësor të të dyshuarit, e më pas të procedojnë tutje. Shabani dhe Qerimi dyshohet të kenë mbledhur dhe dërguar informacione në adresën e BIA-s serbe, lidhur me UÇK-në, Policinë e Kosovës, AKI-në dhe IPK-në. Ndaj tyre, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në shkurt të këtij viti, duke e ngarkuar Shabanin me akuzën për spiunazh, ndërkaq Qerimin për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

Comments