Nisja e ndërtimit të terminalit për gazin amerikan që Kurti e refuzoi e Vuçiq është pjesë e saj – Ja çka përmban projekti

271

Punimet në terminalin e gazit të Aleksandoupolis, një projekt i rëndësishëm për sigurinë energjetike të Evropës Juglindore dhe Ballkanit, kanë nisur zyrtarisht sot në Aleksandropolis të Greqisë. Terminali pritet të jetë funksional në dhjetor 2023.

Të pranishëm në një ceremoni në Aleksandropolis ishin kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski, përfaqësues të kompanisë operuese, Gastrade, ministra dhe deputetë, si dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Brenda 20 muajve të ardhshëm, Greqia do të jetë në gjendje të importojë shumë më tepër gaz me kapacitet të rritur likuifikues. Shantazhimi i Moskës e bën këtë bashkëpunim rajonal jo vetëm thelbësor, por edhe urgjent. Greqia ka siguruar mjaftueshëm energji elektrike dhe tani është e gatshme të ndihmojë vendet fqinje me nevojat e tyre”, tha Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjatë ceremonisë.

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ka thënë se së bashku mund ta përballojnë presionin rus.

“Ne mund të përballojmë sulmin dhe presionin rus së bashku. Ne jemi vende të pavarura. Presioni i Rusisë nuk do ta arrijë qëllimin dhe ngjarja e sotme është dëshmi e kësaj. Ky është një projekt energjetik që do të ndryshojë hartën energjetike të Evropës. Së bashku mund të bëhemi motor për Evropën, ky projekt është dëshmi e fuqisë dhe unitetit tonë.”

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka falenderuar BE-në për financimin e këtij projekti.

“Ndërlidhja në gazin natyror është shumë e rëndësishme. Dëshiroj të falënderoj BE-në sepse shumica e këtyre projekteve kanë financim evropian, siç është ndërlidhja e re me Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht vështirësive dhe sfidave në energji, kam besim se mund t’i kapërcejmë ato përmes një përpjekjeje të përbashkët midis kombeve të rajonit dhe të gjejmë zgjidhjet”, tha Vuciq.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski deklaroi se nëpërmjet këtyre projekteve do të marrim më shumë burime gazi, si nga SHBA dhe nga Lindja e Mesme, që do të thotë rritje e sigurisë dhe kosto më të ulët.

“Përgatitjet për ndërlidhjen e Maqedonisë së Veriut me infrastrukturën tjetër të gazit në rajon do të ofrojnë gaz natyror për qytetarët e saj dhe ekonominë kombëtare. Çmontimi i linjitit dhe zëvendësimi i tij me gaz natyror është qëllimi ynë strategjik, ndërkohë që diferencimi i burimeve të furnizimit është vendimtar dhe Korridori Jugor kontribuon në pavarësinë tonë nga gazi rus. Nëpërmjet këtyre projekteve ne do të marrim më shumë burime gazi, si nga SHBA dhe nga Lindja e Mesme, që do të thotë rritje e sigurisë dhe kosto më të ulët”, tha ai.

Një mënyrë që Ballkani të ketë akses në burime të reja gazi

Alexandropolis FSRU është një terminal lundrues LNG që do të sigurojë 5.5 miliardë metra kub (bcm) gaz natyror në vit kur të përfundojë në tregjet e Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Infrastruktura e re është e lidhur me projekte të tjera të interkonjeksionit, si Interkoneksioni i Gazit Greqi-Bullgari (IGB) që do të funksionojë nga shtatori 2022, por edhe lidhjet e rëndësishme të gazit midis Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Nëpërmjet këtyre projekteve të fundit dhe të reja, këto vende do të jenë në gjendje të reduktojnë varësinë e tyre nga gazi natyror rus duke diversifikuar rrugët dhe burimet e tyre të furnizimit.

Gjigandi rus i gazit Gazprom kohët e fundit ndërpreu dërgesat e gazit në Bullgari, ndërsa vendet anëtare të BE diskutuan dje çështjen e pagesave në rubla gjatë një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë, pa arritur ende një qëndrim të përbashkët. Duke qenë se në maj priten më shumë pagesa për gazin rus nga shtetet dhe kompanitë e tjera evropiane, ndërprerje të mëtejshme të furnizimit apo edhe ndërprerje janë plotësisht të mundshme.

Në të njëjtën kohë, BE-ja ka përgatitur planin e saj të ri, në mënyrë që të reduktojë importet e gazit rus këtë vit dhe të mbushë depozitat evropiane të gazit deri në nëntor. Edhe pa asnjë ndërprerje, ky është një objektiv i vështirë për t’u arritur, prandaj rëndësia e projekteve të reja të importit, si gazi Alexandroupolis (LNG), është evidente.

Tre terminale të tjera të gazit dhe një interkoneksion i planifikuar në Greqi

Përveç projektit në Aleksandropolis, një tjetër investim për importimin e gazit është planifikuar nga rafineri grek, Motor Oil, në Korinth, i quajtur “Dioryga LNG”. Vendimi përfundimtar i investimit pritet në fund të këtij viti dhe kapaciteti vjetor parashikohet në 2.5 bcm.

Në të njëjtën kohë, Elpedison ka planin e vet të quajtur Thessaloniki FSRU, i cili pritet të bëhet funksional në vitin 2025 dhe do të përdorë gjithashtu një platformë lundruese. ‘Gastrade’ ka njoftuar se ka marrë një leje nga rregullatori për FSRU-në e dytë të saj, që do të instalohet në Thrakë në det të hapur.

Kur bëhet fjalë për tubacionet e gazit, operatori grek DESFA dhe NER Sh.A. i Maqedonisë së Veriut po planifikojnë një ndërlidhje të re me një kapacitet prej 1.5 bcm në vit dhe një opsion për ta rritur atë në 3 bcm. Ky investim pritet të arrijë në 110 milionë euro dhe do të rrisë më tej mundësinë e Maqedonisë Veriore për të marrë gaz nga burime të reja ndërkombëtare.

Comments