Një ditë pas marrëveshjes, Brukseli: Kthimi i serbëve dhe themelimi i Asociacionit është pritje e jona

165

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka paralajmëruar takim të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq pas arritjes së marrëveshjes së mbrëmshme. Ai ka përsëritur atë që ka thënë mbrëmë Borell por nuk ka dhënë datë të takimit.

Ai tha se diskutimet do të bëhen tash e tutje për normalizimin e marrëdhënieve mbi propozimin franko-gjerman, të cilit ai iu referua si “propozim i lehtësuesve”.

Por, Stano shtoi se duhet të fillojë zbatimi i Asociacionit dhe të respektohen marrëveshjet e kaluara, raporton Gazeta Express.

“Sigurisht që jemi duke punuar [për bisedimet e ardhshme]. Që kur kriza shpërtheu kthimi i serbëve të Kosovës në institucione është pritshmëri bazike dhe kërkesë nga ana e BE-së dhe e njëjta është edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë. Është me rëndësi që të implementohen marrëveshjet e arritura në dialog, ky është mesazh që vazhdimisht u dërgohet palëve” ka theksuar Stano.

“Emisari Lajçak është duke punuar fort, natë e ditë, për të avancuar [procesin]. Përfaqësuesi i Lartë ka dhënë sinjale se planifikon të ftojë të dy liderët që të vijnë në Bruksel së shpejti dhe që të vazhdojnë në marrëveshjet që janë bërë të fillojnë diskutimet për tablonë e madhe dhe tabloja e madhe këtu është normalizimi i marrëdhënieve bazuar në propozimin e lehtësuesve të BE-së”, ka shtuar ai gjatë një konferencë për media.

Ai, tutje, pohoi se ky nuk është fundi i procesit, por fillimi punës.

“Ky është fillimi i punës që shpresojmë se do të na nxjerrë nga kjo situatë e përhershme e zgjidhjes së krizave dhe do të na lejojë të fillojmë një fazë të re të trajtimit të çështjeve në një mënyrë të qëndrueshme për të shmangur shpërthimin e krizave”.

Stano tha se do të njoftojnë në mënyrë më konkrete për bisedimet e ardhshme.

Comments