Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e 89-vjeçarit në Ferizaj

242
fresco

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e një 89-vjeçari në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Dy të dyshuarit me inicialet F.R e J.M dyshohen për vrasjen në mbrëmjen e së premtes të 89-vjeçari S.S, para një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt.

Caktimi i masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve u bë të dielën pas mbajtjes së seancës dëgjimore në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Sahit Krasniqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 16 gusht 2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave, në një fshat të Komunës së Ferizajt, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojë nga jeta, posa vërejnë të ndjerin se hynë në parking, të pandehurit secili me automjete të veta ndalen në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur një mjetë të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S. dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë që kanë qenë së bashku me të ndjerin, i cili për pasojë ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i është caktuar masa e paraburgimit.

Ndaj dy të dyshuarve Prokuroria e Ferizajt të shtunën ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

Sipas prokurorisë, polici F.R., për motive të ulëta ka shtënë në drejtim të viktimës.

Sipas Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë detaje për vrasjen në Ferizaj, ku dyshohet se nga arma zyrtare e një polici mbeti i vrarë një i moshuar 89 vjeçar.

Në njoftimin e IPK-së thuhet se polici i dyshuar për vrasje, F.R pasi e kreu vrasjen u vetëdorëzua në Polici.

“Incidenti raportohet të ketë ndodhur sot rreth orës 19:30 në fshatin Bibaj të Ferizajt në një restaurant ku ishte duke u mbajtur një ceremoni dasme. Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë .I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast”, ka njoftuar IPK.

Lidhur me këtë rast, Policia në Ferizaj ka njoftuar dje se është suspenduar nga detyra shefi i ndërrimit të policisë në Ferizaj.

Comments