Një radiodramë për Kosovën në BBC



E titulluar “Në fushën e Kosovës” dhe e inspiruar nga shënimet e këngëtares britanike, PJ Harvey, do të transmetohet në stacionin numër katër të Radios së BBC një radiodramë, shkruan sot, gazeta “Zeri”.
Radiodrama e ndarë në pesë pjesë është e inspiruar nga shënimet e PJ Harvey gjatë udhëtimit të saj në Kosovë.
Artisja angleze, emri i plotë i së cilës është Polly Jean Harvey, ka fituar shumë çmime që nderojnë aftësitë e saj në këndim, shkrim dhe muzikë. Ajo së bashku me Murphy-n vizituan Kosovën në kuadër të festivalit DokuFest, në vitin 2011.
Inspiruar nga vizitat e saj në Kosovë, Afganistan dhe Uashington Harvey ka shkruar një përmbledhje me poezi që titullohet “The Hollow Of The Hand”.
Fotografi Murphy e ka quajtur këtë aventurë “një shikim mbi shtëpinë dhe botën”. Të gjitha fotografitë dhe poezitë pasojnë albumin e fundit të PJ Harvey-t, “Let England Shake”, që ka gjithsej dymbëdhjetë filma të shkurtër, me motive lufte të realizuara nga fotografi Murphy.
Sipas Fin Kennedy, që ka shkruar skenarin e radiodramës “Në fushat e Kosovës”, kjo është një dramë, mbi të gjitha një vendosje kreative në audio, e pamjeve vizuale që ka koleksionuar PJ Harvey.
Të dy personazhet e radiodramës, siç tregon skenaristi për BBC, zbulojnë një komb të ri që është duke u përpjekur të krijojë një shpresë të re dhe ata kuptojnë se duhet të bëjnë një udhëtim nëpër të kaluarën e tyre që të lëvizin përpara.
“Ata kanë me vete një sërë çelësash që u janë dhënë atyre nga fqinjët para se të lëshonin Kosovën, duke u ofruar mundësinë që të hapin derën e shtëpisë dhe bashkë me të edhe kujtimet e tyre. Ata janë të detyruar të përballen me të vërtetën e dhimbshme që ka ndodhur me prindërit e tyre”, ka thënë skenaristi Fin Kennedy.
Në bashkëpunim me fotografin dhe regjisorin irlandez Seamus Murphy, me të cilin Harvey kishte udhëtuar nëpër këto destinacione gjatë viteve 2011 dhe 2014, Harvey është ndarë e fascinuar nga këto vende.
“Ajo çfarë po mundohesha të shkruaja, nuk mund të bëhej duke marrë informacione të dorës së dytë. Kisha dëshirë ta ndjej ajrin, tokën dhe t’i takoj njerëzit e këtyre vendeve që më kishin fascinuar. Me mikun tim Seamus Murphy vendosëm të bëjmë një projekt së bashku – unë do të mblidhja fjalë, ai piktura, duke ndjekur instinktet tona”, ka thënë Harvey, sipas NME.(Zeri.info)