Një sulmues vetëvrasës e hedh veten në erë në një kishë në Damask, 22 të vrarë

Të paktën 22 njerëz janë vrarë dhe 63 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim vetëvrasës në një kishë në Damask të Sirisë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Një burrë hapi zjarr me një armë në Kishën Ortodokse Greke të Profetit Elias në lagjen Dweila gjatë meshës të dielën në mbrëmje para se të aktivizonte një jelek me lëndë shpërthyese, sipas Ministrisë së Brendshme.
Kjo ministri tha se sulmuesi ishte i lidhur me ISIS-in. Vetë grupi nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, raporton televizioni BBC.
Në fotografi dhe video të publikuara nga brendësia e kishës shiheshin altari i dëmtuar rëndë, stolat e mbushura me xhama të thyer dhe gjaku i shpërndarë në mure.

Dëshmitari Lawrence Maamari i tha agjencisë së lajmeve AFP se “dikush hyri (në kishë) nga jashtë duke bartur një armë” dhe filloi të qëllonte. Njerëzit “u munduan që ta ndalnin atë para se ta hidhte veten në erë”, shtoi ai.
Një burrë tjetër, i cili ndodhej në një dyqan afër kishës, tha se dëgjoi të shtëna arme të pasuara nga një shpërthim që shkaktoi “fluturim” të xhamave. “Pamë zjarr në kishë dhe mbetje të stolave të drurit të hedhura në hyrje” – tha ai.
Ky ishte sulmi i parë i tillë në Damask që nga koha kur forcat rebele e rrëzuan nga pushteti në dhjetor ish-presidentin Bashar al-Assad, duke i dhënë fund luftës civile 13-vjeçare.
Ministri i Brendshëm i Sirisë, Anas Khattab, tha se ekipe të specializuara të ministrisë së tij e kanë filluar hetimin e rrethanave të atij që ai e quajti “krim të dënueshëm”. “Këto akte terroriste nuk do t’i ndalin përpjekjet e shtetit sirian për ta arritur paqen civile” – tha ai.
Zyra e emisarit të posaçëm të OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, e dënoi sulmin dhe u bëri thirrje sirianëve që “të bashkohen në kundërshtimin e terrorizmit, ekstremizmit, nxitjen dhe shënjestrimin e cilitdo komunitet”./Nacionale