Një telefonatë, dy të vërteta

Donald Trumpi vitin e kaluar premtoi se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë për “24 orë”.
Javën që shkoi tha se lufta nuk mund të përfundonte derisa nuk do të ulej me presidentin rus Vladimir Putin dhe ta zgjidhnin atë.
Të hënën, ndërroi përsëri qëndrimet.
Pas telefonatës dy-orëshe me Putinin, ai ka thënë se kushtet e paqes duhet të negociohen vetëm mes Rusisë dhe Ukrainë – ndoshta me ndihmën e Papës.
Presidenti amerikan ende nuk ka humbur optimizmin për mundësi të paqes, duke postuar se dy palët duhet të fillojnë menjëherë negociatat për armëpushim dhe për fundin e luftës.
Mirëpo ky qëndrim ishte krejt i kundërt me qëndrimin rus. Putini vetëm tha se shteti i tij është gati që të punojë me Ukrainën për një “memorandum për marrëveshjen e mundshme të paqes të ardhmen”.
Bisedimet për memorandume dhe për “të ardhme të mundshme” të paqes duken dy terrene të vështira mbi të cilat mund të arrihen marrëveshjet e qëndrueshme.
Putin theksoi sërish se çdo zgjidhje do të duhej të adresonte “shkaqet rrënjësore” të luftës – që Rusia më herët i ka paraqitur si dëshira e Ukrainës për lidhje më të ngushta me Evropën.
Në rrjetin Truth Social pas telefonatës, Trump deklaroi se Rusia dhe Ukraina do të “fillojnë menjëherë negociatat” drejt një armëpushimi, duke shtuar se “kushte për këtë do të negociohen mes dy palëve”.
Por ekziston mundësia që qëndrimi më i fundit i Trump për luftën në Ukrainë të jetë një shenjë se SHBA-ja përfundimisht do të tërhiqet nga tryeza e negociatave.

Më vonë të hënën, Trump tha se nuk do të tërhiqet nga ndërmjetësimi i bisedimeve mes dy vendeve, por pranoi se kishte një “vijë të kuqe në mendjen e tij”.
“Ego të mëdha janë të përfshira, por mendoj se diçka do të ndodhë,” tha ai. “Dhe nëse nuk ndodh, thjesht do të tërhiqem dhe ata do të duhet të vazhdojnë vetë.”
Një lëvizje e tillë, megjithatë, shoqërohet me pyetje – dhe rreziqe – të shumta.
Nëse SHBA-ja “lan duart” nga kjo luftë, siç kanë kërcënuar edhe zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i shtetit Marco Rubio, a do të thotë kjo se SHBA-ja do të ndalë çdo mbështetje ushtarake dhe të inteligjencës për Ukrainën?
Dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë mund të jetë një zhvillim që Rusia, me burime më të mëdha krahasuar me një Ukrainë të shkëputur nga mbështetja amerikane, do ta mirëpriste.
Ky perspektivë mjafton që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të shqetësohet.
“Është thelbësore për të gjithë ne që Shtetet e Bashkuara të mos distancohen nga bisedimet dhe përpjekjet për paqe,” tha ai të hënën pas telefonatës Trump-Putin.
Ndërmjetësimi i vrullshëm për paqe i Trumpit tregon se çfarë dëshiron në të vërtetë
Trump ka shprehur frustrim ndaj të dyve – Putinit dhe Zelenskyt – pasi përpjekjet për të zgjidhur konfliktin trevjeçar vazhdojnë të zvarriten.
Ai e akuzoi udhëheqësin ukrainas se “po rrezikon Luftën e Tretë Botërore” në një takim shpërthyes në shkurt në Zyrën Ovale dhe, në prill, tha se ishte “shumë i zemëruar” dhe “i acaruar” me Putinin pasi bisedimet vazhduan të ngecin.
Pavarësisht retorikës së së hënës, duket se Ukraina dhe Rusia janë të prirura të vazhdojnë një formë bisedimesh – dhe të flasësh në çfarëdo forme është përparim pas gati tre vitesh lufte. Ende mbetet për t’u parë nëse delegacioni rus do të jetë më shumë sesa grupi i nivelit të ulët që udhëtoi në Stamboll për të takuar ukrainasit të premten e kaluar.
Trump po premton lehtësime të sanksioneve ndaj Rusisë – si dhe marrëveshje të reja tregtare dhe investime ekonomike – si nxitje për ta shtyrë Putinin drejt një marrëveshjeje paqeje. Ai e përmendi këtë sërish në komentet e tij pas telefonatës. Nga ana tjetër, nuk u diskutuan pasoja negative, si sanksione të reja ndaj bankave ruse dhe eksporteve të energjisë.
Presidenti amerikan muajin e kaluar paralajmëroi se nuk do të toleronte që Putini “ta shtynte përpara pa fund” dhe tha se Rusia nuk duhet të shënjestrojë zonat civile. Por dje, Rusia kreu sulmin më të madh me dronë të luftës mbi qytetet ukrainase, dhe telefonata e së hënës mes dy liderëve botërorë e bën të qartë se çdo armëpushim apo marrëveshje paqeje ende duket larg në horizont.