Një vit nga rasti i parë me virusin korona
Para një viti ishte regjistruar rasti i parë i virusit korona te një burrë 55-vjeçar nga provinca kineze Hubei.Që atëherë, numri i të infektuarve në botë tejkaloi 55 milionë, ndërsa më shumë se 1.300.000 persona ndërruan jetë si pasojë e Kovid-19.
Pacienti zero, sipas “Çajna Morning Post”, është regjistruar më 17 nëntor të vitit 2019 në provincën kineze Hubei. Kjo është më shumë se një muaj para se mjekët t’i regjistrojnë rastet e para në Vuhan.
Shkencëtarët dyshojnë se Kovid -19 nga lakuriqi ka kaluar në gjallesë tjetër të cilën më vonë e ka konsumuar njeriu, prandaj filloi të përhapej në mesin e njerëzve.Ekspertët thonë se që nga 17 nëntori i vitit të kaluar, për çdo ditë regjistroheshin nga disa pacientë, ndërsa më 15 dhjetor të vitit 2019 ai numër ishte 27.
Numrat atëherë filluan të rriteshin ndjeshëm, ndërsa infeksioni e kaloi kufirin kinez.Edhe pse më shumë se 38 milionë persona janë shëruar për një vit, virusi nuk po qetësohet dhe duket se kulmi po vjen.
Sot, vendi më i populluar në botë, prej ku filloi gjithçka, regjistron disa raste në ditë, përderisa në SHBA ka 150.000 të porsainfektuar, ndërsa në disa vende evropiane mbi 40.000.
Për krahasim, në Kinë që nga fillimi i pandemisë janë infektuar pak më shumë se 86.000 persona, ndërsa 4.634 kanë ndërruar jetë.Për momentin, më së shumti të infektuar ka në SHBA, Indi, Brazil, Francë dhe Rusi