Njeriu i Trump: Kosovës i duhet një kryeministër si Veseli që ruan miqësinë me Amerikën dhe lufton korrupsionin
Një atmosferë të jashtëzakonshme zgjedhore ka krijuar sot PDK-ja në qytetin e Gjilanit, ku nga pamja i ngjante më shumë një fushate në Amerikë.
Mijëra përkrahës të kësaj partie duket se kanë pasur arsye meqë pos kandidatit për kryeministër, Kadri Veseli ishte i pranishëm edhe një prej njerëzve të besueshëm të Presidentit Trump, Matt Whitaker.
Para qytetarëve të shumtë që mbanin në duar flamuj të Kosovës dhe Amerikës, Whitaker ka thënë se Kosovës në këto zgjedhje i duhet një kryeministër si Kadri Veseli që ruan miqësinë me SHBA-të dhe e lufton korrupsionin.
Ai ka shtuar se “qeveria amerikane respekton shtetet që kanë vepra dhe jo fjalë dhe shpresojmë se miqtë tanë dhe aletatët votojnë për kandidatë të fortë kundër-korrupsionit të cilët e kanë dëshmuar veten me prova dhe jo fjalë.“
“Është e qartë për mua që këto zgjedhje kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e mundësive ekonomike për të gjithë në Kosovë. Të dyja këto qëllime do të realizohen duke pasur një Kryeministër që kërkon miqësinë dhe mbështetjen e SHBA-ve Kadri Veseli është personi i duhur për këtë gjë. Ai është kandidati më i fortë kundër korrupsionit sepse e ka dëshmuar. Ai tashmë ka vepruar duke pastruar oborrin e shtëpisë së tij. Duke ndryshuar partinë e tij dhe duke i dhënë asaj një fillim të ri. Për dallim nga zgjedhjet e vendit tim në 2016, ku ne duhej të zgjidhnim një person që vinte nga jashtë partisë, këtu ju keni dikë që ka ndërmarrë tashmë veprime konkrete kundër korrupsionit dhe që është një mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara” ka thënë Whitaker.