‘Nuk doja të më rrihte më’, Rrëfehet italiani që vrau me thikë adoleshentin shqiptar

202

“Doja vetëm ta trembja dhe kisha frikë se mos goditesha sërish”. Ky është shpjegimi që ka dhënë italiani Simone Maddaluno, 19 vjeç, i akuzuar për vrasjen e Pandi Lavdarit, 18 vjeç, përpara gjykatës në Pavia të Italisë, lidhur me arsyen se pse e kishte me vete thikën në takimin me rivalin e tij në dashuri.

Pasditen e së hënës, Maddaluno takoi Lavdarin në rrugën “Dalla Chiesa” (në komunën Stradella, Pavia) dhe në kulimin e një sherri, i dha një goditje me thikë në kraharor, që rezultoi fatale për shqiptarin.

Lavdari humbi jetën një ditë më pas në spital.

Maddaluno doli para gjykatës, ku u njoh me masën e sigurisë së arrestit me burg, raportojnë mediat lokale, edhe pse mbrojtja kërkoi masën e arrestit shtëpiak.

Maddaluno zgjodhi ti përgjigjej pyetjeve të gjykatësit duke treguar versionin e tij të ngjarjes. Ai konfirmoi atë që u tha karabinierëve të Stradella-s, që e arrestuan pas goditjes me thikë të shqiptarit. Italiani u shpreh para gjykatës se nuk ishte qëllimi i tij të qëllonte Lavdarin, por vetëm ta trembte.

Të dielën mbrëma, viktima dhe autori u konfliktuan mes tyre në një diskotekë në Broni (komunë në Pavia). Një kompliment i tepërt ndaj vajzës që pëlqenin të dy, që nuk u mirëprit. Më pas dolën nga diskoteka dhe aty: shtyrje dhe grushte. 19-vjeçari pësoi disa shembje e më pas secili shkoi në shtëpinë e vetë. Ngjarja më e rëndë do të vinte ditën tjetër.

Maddaluno tha në gjykatë se i vjen keq për atë që ndodhi më pas.

Ai është dërguar në burgun e Pavias, ku është mbajtur nën vëzhgim në infermieri, i mbështetur dhe nga një psikolog e një prift për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike që po përjeton.

/SYRI.net/

Comments