NUK KA PLAN B! Sofja i thotë jo negociatave të reja

Përderisa përfaqësues të lartë të shtetit, si kryeministri Hritsijan Mickoski dhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova paralajmërojnë negociata të reja me palën bullgare për të gjetur, siç thonë, zgjidhje kreative për zhbllokim e procesit euro-integrues të vendit, ndërsa kur kryeministri po bën thirrje për miratimin e një rezolute të re në Parlamentin Evropian, ku pranohet identiteti dhe gjuha maqedonase, vjen reagimi nga Sofja zyrtare. Parlamenti bullgar ka miratuar një Rezolutë në të cilën thuhet se pranojnë Plan B. Siç njofton agjencia shtetërore bullgare e lajmeve BTA parlamenti bullgar miratoi një rezolutë lidhur me përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e cila u mbështet unanimisht me 194 vota “pro”. Në Rezolutën e paraqitur nga Toshko Jordanov dhe një grup deputetësh, thuhet se Bullgaria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj konsensusit evropian të korrikut të vitit 2022 dhe u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut të zbatojnë me përpikëri marrëveshjet që kanë pranuar. Në dokument theksohet se janë të papranueshme përpjekjet në kuadër të formateve dhe institucioneve të BE-së për të rinegociuar, anashkaluar apo injoruar elemente nga marrëveshjet tashmë të arritura.
“Konsensusi evropian është një marrëveshje midis vendit kandidat për anëtarësim në BE, nga njëra anë, dhe Bashkimit Evropian si tërësi, nga ana tjetër, dhe për këtë arsye nuk përbën çështje bilaterale. konsensusi evropian bazohet në Konkluzionet e Këshillit të BE-së nga korriku i vitit 2022, kornizën negociuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe protokollet e përbashkëta midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, të nënshkruar më 1 gusht 2017”, theksohet mes tjerash në Rezolutën që e ka votuar Parlamenti bullgar. Parlamenti bullgar u bën thirrje institucioneve të BE-së të vazhdojnë përpjekjet për të garantuar të drejtat e bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev duke komentuar Rezolutën e miratuar në Parlamentin bullgar, tha se politika e Bullgarisë mbi integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, konkretisht të Maqedonisë së Veriut është plotësisht e qëndrueshme dhe e fortë.
“Bullgaria do të vazhdojë të respektojë marrëveshjen e vitit 2022. Nuk do të bëjmë asnjë hap pas nga ajo”, tha ministri i Jashtëm. Ai po i referohej një marrëveshjeje ndërmjet Sofjes dhe Shkupit, ku Franca luajti rol ndërmjetësues, për të lejuar Maqedoninë e Veriut në BE me kushtet e caktuara, përfshirë edhe përfshirjen e bullgarëve si popull themelues në Kushtetutën e vendit. “Ne nuk do të ndalojmë së përsërituri se është përmbushja e kërkesave evropiane ajo që duhet për të bërë përparim, dhe kriteret e anëtarësimit të vendosura në konsensusin BE-Shkup 2022 duhet të plotësohen që ky vend të ecë përpara në procesin e integrimit evropian”, tha Georgiev.
Ai falënderoi Kuvendin Kombëtar për pozicionin e tij aktiv dhe për faktin që vendimi u miratua me shumicë të madhe. “Kjo tregon edhe një herë se ekziston një konsensus i plotë në shoqëri jo vetëm mbi Maqedoninë e Veriut, por edhe mbi të gjithë procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, vuri në dukje ai. Duke u pyetur nëse Bullgaria do të bllokonte hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE nëse negociatat për anëtarësim nisin para ndryshimit të Kushtetutës, ministri Georgiev tha se nga të gjitha bisedat që ka pasur deri tani, përfshirë edhe ato dy ditë më parë me homologun e tij austriak, nuk ka një qëndrim në atë drejtim. Përkundrazi, si Presidenti i Këshillit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE për Punë të Jashtme kanë thënë të njëjtën gjë: “Nuk ka opsion B, nuk ka plan B. Ka vetëm një plan – të ndryshohet Kushtetuta, të plotësohen kriteret klaster dhe të vihet procesi në lëvizj”, i citoi Georgiev.

Përndryshe, ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski në seancën parlamentare për pyetje deputetësh i bëri thirrje opozitës që së bashku me Qeverinë të lobojë te eurodeputetët për të votuar raportin mbi vendin, i cili përfshin pranimin e një identiteti shumëvjeçar të veçantë maqedonas, të lidhur me kombësinë dhe gjuhën maqedonase. Mickoski, duke folur për ndryshimet kushtetuese, theksoi se derisa të mos ketë maqedonas në Komitetin bullgar për pakicat, nuk do të ketë lëvizje asnjë milimetër nga pozicionet tona. Kryeministri theksoi se sfida me ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e një pjese të bashkëqytetarëve tanë që për veten e tyre thonë se janë pjesë e komunitetit bullgar, në mënyrë që vendi të mund të mbajë Konferencën e Dytë Ndërqeveritare, është pranuar nga qeveria e kaluar me pranimin e “Propozimit Francez”, dhe kjo është, tha ai, një fakt. Qeveria aktuale i mbetet që të krijojë një strategji se si ta tejkalojë këtë pa lejuar kërkesa të reja.
“Si qeveri, kur e keni këtë përpara vetes, uleni dhe bëni një strategji, dhe pyesni nëse jemi në këtë lojë për të qëndruar në vijën e nisjes apo për të përfunduar garën. Nëse e shihni me sy shtetëror dhe më gjerë, atëherë do të thoni çfarë fitojnë qytetarët dhe shteti, duke pasur parasysh se ministri i jashtëm i fqinjit tonë lindor tha se kjo është vetëm fillimi, jo fundi i kërkesave. Do të shohim çfarë do të ndodhë më tej. Kur e keni këtë fakt, atëherë është logjike të krijoni një strategji për të ardhmen, dhe si qeveri ne po krijojmë strategji për më tej” tha Mickoski.
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe njoftoi se me iniciativë të tij ka biseduar me sekretarin e PSE-së për që Maqedonia të marrë mbështetje nga PSE në Parlamentin Evropian.
“Unë tashmë dje kam biseduar me sekretarin e Partisë së Socialistëve Evropianë (PSE), në familjen e të cilëve ne i përkasim, z.Giacomo Filibeck, lidhur me koordinimet. Sot vazhdojmë bisedimet për të parë se cilat janë hapat konkretë që duhet t’i ndërmarrim, të bisedojmë me eurodeputetët që i përkasin familjes sonë të demokratëve dhe socialistëve,” tha kreu i LSDM-së Filipçe. Ai gjithashtu ngriti pyetjen nëse kjo deklaratë do të jetë garanci e mjaftueshme për qeverinë që të nisë procesin e integrimit evropian. “Cili është qëllimi i kësaj deklarate dhe nëse ajo miratohet do të jetë diçka që për kryeministrin do të jetë një formë e mjaftueshme garancie për të filluar procesin e ndryshimeve kushtetuese? Sepse ka përshtypje që qeveria gjithmonë ka disa parime dhe linja të kuqe, por nëse ato nuk pranohen, gjejnë kushte të reja. Në fillim ishin ndryshimet kushtetuese me afat të prolonguar, pastaj vendimet në Strasburg, tani kjo deklaratë në Parlamentin Evropian” theksoi Filipçe. Ai theksoi se në mandatet e qeverive të LSDM-së janë marrë vendime të guximshme dhe shtetërore me të cilat janë mbrojtur gjuha dhe identiteti i popullit maqedonas. “Ne, si qeveri, kemi bërë mjaftueshëm për të mbrojtur gjuhën dhe identitetin e popullit maqedonas. Dëshmi për këtë është fakti që gjuha maqedonase është pranuar zyrtarisht në Bashkimin Evropian, pa asnjë kusht apo shënim. Është nënshkruar tashmë marrëveshja e parë zyrtare në gjuhën e pastër maqedonase – marrëveshja për Frontex. Por, ne do të jemi absolutisht konstruktivë, sepse mendoj se kjo është e drejtë dhe e nevojshme, për shkak se duhet të çlirojmë përfundimisht këtë proces të bllokuar,” tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Kujtojmë se autoritet më të larta të vendit tonë kanë thënë se samiti i NATO-s në Hagë, i cili pritet të mbahet nga 24 deri më 26 qershor të këtij viti është një mundësi për takime bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në të cilat do të merrnin pjesë si ndërmjetësues edhe përfaqësuesit më të lartë evropian, si kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen dhe kryetari i Këshillit të Evropës, Antonio Costa. Megjithatë deri në këto momente, ende nuk ka një konfirmim se do të realizohet një takim i një formati të tillë. (koha.mk)