Nuk u zgjodh kryetare e Kuvendit, ky është reagimi “poetik” i Gërvallës
Donika Gërvalla dështoi sot të zgjidhej kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me rikthimin e seancave konstituive pas aktgjykimit te Gjykatës Kushtetuese, u rikthye edhe “zari” i LVV-së me emrin e Albulena Haxhiut, shkruan IndeksOnline.
Pasi Haxhiu dështoi të zgjidhej kryetare, në foltorën e Kuvendit doli ish-kryetari Glauk Konjufca, që propozoi emrin e Donika Gërvallës, duke i ftuar deputetët të mos qeshin por të votojnë.
Por, edhe Donika Gërvalla nuk i mori votat për të udhëhequr legjislativin e shtetit. Pro saj votuan 57 deputetë, 56 ishin kundër, ndërkaq tre abstenuan.
Pro saj madje nuk votoi as deputetja e LVV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila arsyetoi votën e saj me gjuhën e ashpër që Gërvalla kishte përdorur në të kaluarën për bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin.
Krejt situatës së sotme, Gërvalla iu përgjigj me fjalët e urta të babait të saj, Jusuf Gërvallës.
“E thënë me fjalët e poetit:
“Rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun.
Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!””, u shpreh Gërvalla në një postim në Facebook.
Seanca e radhës konstituive do të mbahet pas dy ditësh, më 22 gusht, në orën 11:00./IndeksOnline/