Oferta befasishme e Zaevit / Pluhur syve opozitës apo BDI-së ?

452

Kryeministri Zoran Zaev gjatë ditës së shtunë ka lëshuar një lajm bombë në opinion duke befasuar të gjithë opinionin publik. Ai i bëri ftesë publike opozitës që të bëhet pjesë e një qeverie më të gjërë. Por, në këtë ftesë fshihen hile të ndryshme, e një prej tyre është edhe pamundësia që të votohet sërish besimi i qeverisë në 90 ditët e ardhshme. Në këtë formë Zaev i hedh pluhur syve të opozitës, duke i lënë ata të fillojnë kalkulimet se kush çfarë sektori të përfitojë, çfarë poste të ndajnë, të bëhen gati për zgjedhje të reja…

Ofertë e befasishme e Zaevit!

Vetëm disa ditë pasi konfirmoi se i ka 62 deputetë të cilët e votuan besimin e qeverisë, Zaev doli me ofertë publike që të formojë qeveri të përbashkët me VMRO-DPMNE-në. Një model i mirë në qeverisje të ngjashme është shembulli me Gjermaninë kur partitë më të mëdha janë bashkuar dhe e çojnë vendin përpara.

Zaev tha se edhe pse ofrojnë bashkëpunim nga çdo aspekt i mundshëm nuk kanë mbështetje nga opozita, prandaj për herë të parë e hap debatin dhe ofertën për të pasur qeveri të përbashkët së bashku me opozitën. Edhe në ofertën e tij, Zaev e akuzoi liderin Mickoski duke theksuar se ai është një person me të cilin nuk mund të bisedohet.

Pavarësisht se ka një mandat edhe tre vjet e gjysmë, kryeministri aktual kërkon qeveri të zgjeruar që sipas tij do të zgjidhë shumë pengesa të cilat po ndodhin në Kuvend, ndërsa synim i tij do të ishte departizimi i administratës shtetërore dhe do të shkatërrohej klientelizmi në gjyqësor.

VMRO DPMNE vetëm konstatoi se qeveria nuk funksionon

VMRO-DPMNE e mirëpriti ofertën e kryeministrit, por vetëm me deklaratën se qeveria nuk funksionon dhe prandaj duhet të ndryshohet sa më shpejtë. Hristijan Mickoski është i izoluar për shkak të koronavirusit, por partia e tij tha se do të pranonte një qeveri eksperte vetëm nëse drejtohet nga një person jo-partiak.

Deputeti Antonio Milloshoski tha se nëse qeveria e ekspertëve drejtohet nga një njeri që do të ishte një person jo partiak i pranueshëm nga të dy palët, i cili mund të drejtojë vendin deri në zgjedhjet lokale, dhe pastaj të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, është i gatshëm të diskutojmë një koncept të tillë.

Ahmeti nuk është i gatshëm për qeveri të zgjeruar

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti nuk është i gatshëm të ndajë qeverinë me opozitën. Sipas tij, nuk është e mirë që të gjithë partitë të futen në pushtet. “Misioni i opozitës është t’i shprehë vërejtjet e veta, qofshin ato edhe pa vend, sepse roli i opozitës, jo vetëm tek ne por tek të gjitha vendet e përparuara demokratike, është që ato vetëm në rastër të veçanta mund të bëhen pjesë e një procesi të rëndësishëm për vendin, përndryshe ato detyrë e kanë që të japin dhe të mos pajtohen me shumicën parlamentare”, tha Ahmeti.

Opozita shqiptare e gatshme të hyjë në qeveri

Opozita shqiptare ASH-AAA është e gatshme të hyjë në Qeveri të zgjeruar por me kushtet e saj. Zijadin Sela ka thënë se nëse Zaev e ka me gjithë mend këtë ofertë, Aleanca për Shqiptarët do të ishte e gatshme të diskutojë diçka të tillë, nëse paraprakisht kjo Qeveri e zgjeruar merr për obligim ndryshimet kushtetuese për të heqë 20% për gjuhët.

“Qeveria e re ti drejtohet BE-së për task forcë me gjykatës dhe prokurorë për ti hapur proceset e montuara politike dhe natyrisht atë që është ofruar nga neve si koalicion, si Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, lidhur me çështjen e shtetësisë, de bllokimin dhe zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së qytetarëve të cilët nuk kanë shtetësi këtu në Maqedoninë e Veriut”, tha Sela.

Çfarë e shtyu Zaevin të kërkojë edhe opozitën në qeveri!

Pyetja që vazhdimisht bëhet në opinion është se pse kryeministri papritmas vjen me një ide të tillë, të paktën një ide atipike dhe nëse kjo është një lloj dështimi i tij se për shkak të kokëfortësisë së opozitës nuk mund të miratojë ligje në Parlament. Është shumë e vështirë të sigurohet një kuorum në Kuvend, pavarësisht nga shumica e konfirmuar parlamentare.

Por, me këtë ofertë që Zaev ia bën opozitës është një truk i madh. Nga njëra anë opozita maqedonase është e përçarë, sepse shumë prej figurave të larta të VMRO DPMNE-së janë kundër kryetarit aktual Mickoski, ndërsa, nga ana tjetër Zaev kërkon që nëpërmjet futjes në qeveri të bëjë përçarje edhe më të madhe brenda VMRO DPMNE-së. Vetëm se pas ofertës së Zaevit, ofendimet publike në opinion u shtuan ndaj shumë figurave të cilat kërkonin bashkëpunim me pushtetin. Mickoski është në izolim për shkak të infektimit me korona virus dhe në këtë formë nuk mund të kontrollojë të gjithë anëtarët ashtu siç duhet.

Në ofertën e bërë, Zaev i teston edhe partitë shqiptare. Ahmeti sigurisht që nuk do të lejojë që partitë në opozitë të bëhen pjesë e pushtetit, sepse është i vetëdijshëm se pushteti në një farë forme i fuqizon partitë shqiptare. Në këtë formë, opozita shqiptare nëse do bëhej pjesë e pushtetit do të kishte më shumë mundësi të premtonte punësime, avancime, biznese, tendera e shumë beneficione të pushtetit, që fatkeqësisht janë njësia matëse e dhënies së votave te shumë qytetarëve.

Një tjetër fakt shumë i rëndësishëm është që Zaev me këtë ofertë dëshiron të blejë kohë. Ai para pak ditësh i bëri vetëbesim qeverisë dhe në këtë formë konstatoi se të gjithë deputetët dhe partitë e koalicionit e mbështesin atë. Me këtë mënyrë ai ia pamundëson tani opozitës që për tre muajt e ardhshëm mos të kenë të drejtë t’i ngrenë votëbesim qeverisë.

Në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut thuhet se çdo funksionar i Qeverisë jep përgjegjësi para Kuvendit, ndërsa deputetët mund të votojnë mos besim të qeverisë. Kërkesën për mosbesim të qeverisë mund ta bëjnë më së paku 20 deputetë, por kjo nuk mund të bëhet pa përfunduar 90 ditë nga votëbesimi paraprak, përveç se nëse shumica e deputetëve, pra 61 deputetë e kërkojnë një gjë të tillë.

Në këtë mënyrë, Zaev ia pamundëson opozitës që në tre muajt e ardhshëm ata të mos kenë të drejtë edhe në aspekt ligjor që të ngrenë procedurë për votëbesim të qeverisë. Deri në muajin korrik edhe kur fillon fushata për zgjedhjet lokale, Zaev e konsideron veten të mbrojtur dhe në këtë mënyrë mund të çojë përpara procesin e regjistrimit të popullatës dhe një sërë ligjesh të tjera.

Zgjedhjet lokale do të jenë testi i qeverisjes së qeverisë “Zaev 2” dhe varësisht nga rezultatet, Zaev do të vendosë nëse do të kërkojë zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare ose jo. Deri atëherë, Zaev do vazhdojë me idenë “përça e sundo”, e që fatkeqësisht lakmia për pushtet ka treguar çdoherë se kjo formulë është e suksesshme.

Comments