
Policia gjermane ka vënë në pranga dy persona me dyshimet se po planifikonin një sulm terrorist.
Të arrestuarit janë një 27-vjeçar nga Algjeria dhe një 23-vjeçar nga Nigeria. Policia nuk komentoi mbi planet e sakta terroriste të pretenduara për dy të dyshuarit, por tha se kishin qenë prej kohësh aktiv në skenën islamike.
Dy të rinjtë jetojnë prej vitesh me familjet e tyre në Göttingen. Rreth 450 policë bastisën 11 banesa rreth Göttingenit dhe një shtëpi në veri të Hesses.
Shefi i Policisë së Göttingenit, Uve Lührig, tha se kishin marrë informacion për organizimin e një sulmi të mundshëm gjatë këtyre ditëve dhe për këtë arsye kishin ndërmarrë një operacion të shpejtë policor.

