Opozita pret përfundimin e Samitit Evropian për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

267
fresco

Partitë politike mbeten në pozicionet sa i përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. VMRO DPMNE pret që pas përfundimit të premten të samitit të BE-së, të del me qëndrimin përfundimtar. Kjo parti në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje, në të kundërtën kërcënohet me protesta në rrugë, shkruan Alsat.

“Ne si VMRO DPMNE, qëndrimin tonë do ta japim pas përfundimit të samitit të ministrave të BE-së”- deklaroi Naum Stoilkovski, VMRO DPMNE.

Edhe Aleanca për Shqiptarë qëndrimin e fundit do ta thonë pas samitit të bllokut evropian.

“Brukseli zyrtar këto ditë demaskoi mashtrimet dhe dështimet e këtij regjimi duke numëruar në mënyrë taksative edhe shkaqet tjera, përveç kontestit me Bullgarinë. Por, ne do të presim përfundimin e Samitit dhe këto ditë do të dalim me vlerësime dhe qëndrime konkrete”- thonë nga ASH-ja.

Nga BDI disa herë kanë thënë se zgjedhjet nuk i shohin si opsion në situatën në të cilën ndodhet vendi, por jozyrtarisht zyrta të kësaj partie pëlqejnë zgjedhjet si mundësi për forcimin e saj në parlament por edhe në ekzekutiv. Por LSDM e prerë se vendit nuk i nevojitet zgjedhje por përkushtim dhe punë, në marrjen e datës dhe përballjen me problemet ekonomike.

Edhe Alternativa mendon se shumica është stabile dhe zgjedhjet eventuale nuk do të ndryshonin asgjë.

“Nëse zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje për mungesën e hapjes në negociatave për aderim, do ta kishim pranuar edhe ne një kërkesë të tillë. Megjithatë, ne jemi të bindur se ato vetëm do të prodhojnë ndërrim të pushtetit, por pa mundësuar ndonjë ndryshim tjetër cilësor”- thonë nga Alternativa.

Muhamed Halili, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve dhe njohës i çështjeve politike thotë për Alsat se vendi ka nevojë për zgjidhje të kontestit me Bullgarinë dhe se zgjedhjet sipas tij do të krijonin boshllëk institucional. Ai thotë se zgjedhje mund të ketë vetëm nëse nuk do të arrihet të formohet qeveria e re pas largimit të Zaevit.

“Por nëse nuk arrijnë atëherë do të shkohet kështu me ngecje dhe ecje. Por deri kur do të mund ta arrijnë kjo është një pikëpyetje që do të tregojë koha… Unë konsideroj se gjatë kohës që organizohen zgjedhje të parakohshme ose edhe të rregullta, atëherë kemi një boshllëk të madh, kemi një ngecje të punës së institucioneve. edhe ashtu institucionet tani janë në pritje e çka do të bëhet me shumicën e re parlamentare dhe ngec puna. Nisur nga kjo konsideroj se nuk është momentum i përshtatshëm për zgjedhje të parakohshme”- deklaroi Muhamet Halili, ish-ambasador.

Comments