
Zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani thotë se partia e tij do të kërkojë që kryeprokurori i ri të jetë shqiptar. Por Osmani mohon që partia e tij të ndikojë në sistemin gjyqësor gjatë procesit të emërimeve. Përzierjen e kohëpaskohshme siç e quajti Osmani, tha se e bën vetëm për ta rritur përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor.
BUJAR OSMANI, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE
“Gjithmonë na kanë kritikuar se ndoshta edhe në ato përgjimet e dalura, se BDI po ndërhyn në çështjen e gjykatësve. Ne kemi ndërhyrë dhe do të ndërhyjmë edhe në të ardhmen sa i takon edhe gjykatësve edhe prokurorëve se janë shqiptar apo nuk janë…Po, shqiptar duhet të ketë në çdo pore të sistemit, por ata do të zgjidhen në konkurs, pavarësisht se cilës parti politike i takojnë”

Osmani tha se ideja e partisë së tij për kryeprokurorin e ri është që të jetë njeri i besueshëm dhe profesionist i cili nuk do të jetë i lidhur për asnjë parti politike, por që do të reflektojë parimin e përfaqësimit të drejtë.
BUJAR OSMANI, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE
“BDI është e interesuar që të zgjidhet një njeri i cili do ta kthejë dinjitetin e institucionit, do të jetë ekspert i cili nuk do të ketë anime politike, por do të bëjë punën e vet për të rikthyer rolin e rëndësishëm që ka ky institucion në sistemin gjyqësor. Do të veprojmë në këtë drejtim që të respektohen të gjitha ligjet dhe procedurat dhe do ti japim mbështetje kandidatit më të mirë që do të paraqitet në konkurs”
Ndërkohë që diskutohet për kryeprokurorin e ri, ende nuk është zgjedhur të paktën ushtruesi i detyrës kryeprokuror, derisa të bëhet emërimi i prokurorit të ri pasi Këshilli i Prokurorëve nuk po arrin të mblidhet dhe merret vesh se kush do të drejtojë prokuroritë derisa të bëhet emërimit i ri. Më 4 shtator deputetët do të diskutojnë mbi propozimin e Qeverisë për zgjedhjen e Prokurorit Publik dhe do duhet të merret vendim për konkurs në të cilin pretenduesit për këtë post do duhet të paraqiten në brenda dy javëve. Por Këshilli i Prokurorëve ka kohë edhe 15 ditë shtesë për të bërë vlerësimin e kandidatëve për kryeprokuror.