“Pa shtrëngim duarsh”, nisin bisedimet ballë për ballë Rusi-Ukrainë

Kanë nisur bisedimet direkte mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll, me praninë e delegacionit turk si palë ndërmjetësuese, raporton BBC.
Sipas pamjeve të marra nga salla e takimit, raportohet se mes delegacioneve nuk ka pasur shtrëngim duarsh në hapje të takimit – një sinjal i qartë për tensionet e larta që vazhdojnë mes vendeve.
Kujtojmë se kjo është hera e parë që Rusia dhe Ukraina zhvillojnë bisedime ballë për ballë që nga fazat e hershme të luftës, ndërkohë që vëmendja ndërkombëtare është përqendruar tek Stambolli si një mundësi reale për të rifilluar përpjekjet diplomatike.

Më herët gjatë ditës edhe presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se dëshiron ta takojë së shpejti Putinin. Sipas BBC-së, duke folur për bisedimet për paqe Rusi-Ukrainë, Trump ka thënë se, “është koha të veprojmë, do ta përfundojmë këtë”.
Bëhet e ditur se Trump ka shtuar se dëshiron një takim me presidentin rus Vladimir Putin “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Rikujtojmë se një ditë më parë, Trump kishte thënë se nuk do të ketë përparim të vërtetë në negociatat për paqë, pa një takim personal mes tij dhe Putinit.