Pamje nga takimi historik mes presidentit Trump dhe presidentit të Sirisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është takuar të mërkurën me presidentin e ri të përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, një ish-udhëheqës i kryengritësve, që kaloi vite i burgosur nga forcat amerikane pasi u kap në Irak.
Takimi ndodhi para se Trump të përfundojë qëndrimin e tij në Arabinë Saudite dhe të udhëtojë për në Katar, në kuadër të një turneu në Lindjen e Mesme, që do të përfshijë, gjithashtu, një ndalesë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Trump dhe al-Sharaa u takuan prapa dyerve të mbyllura, ndërsa gazetarët nuk u lejuan të merrnin pjesë, raportoi Associated Press.

Al-Sharaa u shpall president i Sirisë në janar, një muaj pas një ofensive të befasishme të grupeve kryengritëse të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të cilën ai e drejtonte. Kjo organizatë është e shpallur terroriste nga SHBA-ja. Ato forca pushtuan Damaskun dhe i dhanë fund sundimit 54-vjeçar të familjes Assad.
Trump tha, para takimit, se vendimin për ta takuar al-Sharaan e mori pas inkurajimit nga princi saudit, Mohammed bin Salman, dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Ai premtoi, gjithashtu, se do të heqë sanksionet shumëvjeçare ndaj Sirisë.

“Në Siri ka një qeveri të re që, shpresojmë, do të arrijë të stabilizojë vendin dhe të ruajë paqen”, tha Trump në një fjalim të gjerë për politikën e jashtme të mbajtur të martën, ku njoftoi heqjen e sanksioneve që kanë qenë në fuqi që nga viti 2011.
I njohur më parë me nokën Abu Mohammed al-Golani, al-Sharaa ishte rreshtuar me radhët e al-Kaidës kundër forcave amerikane në Irak pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja.
Ai ende përballet me një fletarrestim për akuza për terrorizëm në Irak. Dikur, SHBA-ja kishte ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacione mbi vendndodhjen e tij, për shkak të lidhjeve të tij me al-Kaidën.
Al-Sharaa u rikthye në Siri pas shpërthimit të konfliktit në vitin 2011, dhe mori drejtimin e degës së al-Kaidës, e njohur si Fronti Nusra. Më pas, ai e riemërtoi grupin në Hayat Tahrir al-Sham, dhe shkëputi lidhjet formale me al-Kaidën.
Sanksionet ndaj Sirisë datojnë nga koha e Bashar al-Assadit, i cili u rrëzua nga pushteti në dhjetor. Ato synonin të dëmtonin rëndë ekonominë e regjimit të tij.
Të dy administratat amerikane – administrata e kaluar e presidentit Joe Biden dhe administrata aktuale e presidentit Trump – i kishin lënë në fuqi këto sanksione edhe pas rrëzimit të Assadit, ndërsa vlerësonin qëndrimin e al-Sharaas, i cili ka mohuar lidhjet e mëtejshme me al-Kaidën.