Paqartësi rreth fatit të rastit “Monstra”

153

Në mesnatë Prokurorisë Speciale Publike i skadoi mandati për ngritjen e akt-akuzave të reja, por kjo prokurori mbeti pa i dhënë “fund” zotimeve për zbardhjen e ratit “Monstra”. Korniza legjislative nuk i jep përgjigje të prerë pyetjes: Çfarë saktësisht do të mund të bëjë Prokuroria Speciale për “Monstrën” në periudhën e ardhshme tre-vjeçare kur nuk do të ketë të drejtë të ngre akt-akuza të reja? Megjithatë profesori universitar, Mersim Maksuti vlerëson se tani që gjyqësia ka filluar të lirohet nga kthetrat e pushtetit të kaluar, mund të pritet edhe bashkëpunim mes Prokurorisë Themelore Publike dhe asaj Speciale. Kjo sipas Maksutit, pritet të rezultojë me një epilog të denjë për rastin Monstra.

Prokuroria për krim të organizuar në Shkup në bazë të vullnetit të vetë pozitiv për ta zbardhur deri në fund rastin ‘Monstra’ do të duhet ta kalonte rastin te Prokuroria Speciale dhe Prokuroria Speciale pastaj ta përfaqësojë lëndën në Gjyqin Suprem, e cila pritet të procesuohet deri në fund. Kjo është e vetmja mundësi që mund dhe pritet të ndodhë. Përderisa as Ligji i Prokurorisë Speciale nuk e përcakton situatën qartë se si duhet në këto raste dhe as Këshilli i Prokurorëve i Republikës së Maqedonisë nuk e ka të përcaktuar me ligj se si duhet të veprojë në këtë situatë- tha profesori universitar Mersim Maksuti.

Familjarët një ditë më parë akuzuan PSP-në për drejtësi selektive. Prokurorja Speciale, Katica Janeva përsëriti dhe njëherë qëndrimin se nuk ka mundur ta marrë rastin “Monstra” si pasojë e mos bashkëpunimit me Prokurorinë Themelore Publike.

Meqë nuk kishim bashkëpunim nuk e kërkuam rastin Monstra, që të mund ta kërkojmë rastin Monstra patjetër të kemi bashkëpunim me Prokurorinë Publike dhe me gjykatat që të na I japin të gjitha dokumentet në periudhë të caktuar kur do merremi vesh që të mundemi ne në afat prej 8 ditësh të pozicionohemi nëse do e marrim atë rast në kompetenca tona ose jo- deklaroi Katica Janeva, Prokurore Speciale.

Nga ana tjetër, nga Prokuroria Themelore Publike për krim të organizuar dhe korrupsion thanë se Prokuroria Speciale nuk e ka kërkuar në kompetencë të saj këtë rast. Kryeministri, Zoran Zaev para marrjes së mandatit pati deklaruar se zbardhja e “Monstrës” do të jetë një nga çështjet prioritare, ngase sipas tij përgjimet tregojnë një të vërtetë më ndryshe nga ajo që është prezantuar në opinion. Për vrasjen e pesëfishtë më 12 prill të vitit 2012, gjashtë persona janë dënuar me burg të përjetshëm./alsat-m

Comments