Paqja në Ukrainë – Uashingtoni i paraqet Zelenskyt planin me 28 pika: Njohja e Krimesë dhe Donbasit si territore ruse

56

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e saj të 1,366-të, ndërsa një plan i ri paqeje nga Shtetet e Bashkuara po qarkullon në mediat ndërkombëtare.

Sipas raportimeve, Uashingtoni i ka bërë të qartë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se Kievi duhet të pranojë një marrëveshje me 28 pika për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.

Plani përfshin kërkesa të ndjeshme, si:

Dorëzimi i kontrollit të plotë të Donbasit Rusisë;

Ngrirja e vijave aktuale të frontit në Kherson dhe Zaporizhzhia;

Njohja e Krimesë dhe Donbasit si territore ruse;

Përgjysmimi i ushtrisë ukrainase dhe heqja dorë nga armët me rreze të gjatë;

Njohja e rusishtes si gjuhë zyrtare në Ukrainë;

Status zyrtar për Kishën Ortodokse Ruse.

Burime të mediave ukrainase theksojnë se propozimi “nuk i shërben interesave të Kievit” dhe nuk pritet të pranohet në këtë formë.

Në skenën diplomatike, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se i është drejtuar Vladimir Putinit me fjalët: “Më lejoni ta zgjidh luftën tuaj të mallkuar”, duke sinjalizuar dëshirën për të ndërmjetësuar me shpejtësi.

Ndërkohë, luftimet në terren vijojnë. Të paktën 25 persona, përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën në sulmet e fundit ruse në Ternopil. Po ashtu, Britania ka sinjalizuar një kërcënim të mundshëm, pasi ka zbuluar në afërsi të ujërave të saj një anije spiune ruse të tipit Yantar.

Përshkallëzimi i sulmeve ka bërë që Polonia dhe Rumania të ngrejnë në ajër avionët luftarakë, ndërsa Varshava mbylli përkohësisht aeroportet e Rzeszow dhe Lublin. Në anën tjetër, SHBA ka miratuar një paketë të re armësh prej 105 milionë dollarësh për Ukrainën.

Forcat ukrainase raportojnë se kanë përdorur me sukses raketat taktike ATACMS në objektiva brenda territorit rus, ndërsa Moska pretendon se ka rrëzuar 65 dronë ukrainas gjatë natës dhe raporton një goditje në një rafineri në rajonin Ryazan.

Sipas burimeve të RBC Ukraina, draft-marrëveshja e SHBA-Rusi mbetet e papranueshme për Kievin, pasi kërkon njohjen e territoreve të pushtuara dhe vendos kufizime që do ta pengonin Ukrainën të godasë objektivat ruse.

Comments