
Gjykata Penale ka caktuar 30 ditë paraburgim për ish-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski si dhe shtatë persona tjerë të akuzuar pas arrestimeve mëngjesin e sotëm, ndërsa siç u njoftua më herët për dy të akuzuarve e tjerë janë përcaktuar masa kujdesi.
Gjykata Penale informon se është caktuar paraburgim për personat : (M.J.), (A.J.), (M.J.), (E.R.), (D.D.), (V.S.) , (D.M.) ,(L.S.), ndërsa masa kujdesi janë përcaktuar për të akuzuarit (B.D.) dhe (S.K.), .Nga Gjykata shtojnë se palët kanë të drejtë ankese.
Përveç Janakievskit, të akuzuarit janë edhe nëpunës shtetëror, noterë, ish avokatë shtetëror si dhe një biznesmen. Në mesin e të arrestuarve janë edhe funksionarë aktual të VMRO-DPMNE-së, Dimitar Dimovski, anëtarë i Komitetit ekzekutiv të partisë dhe Dejan Mitrevski, kryetar i komitetit komunal në lagjen Aerodrom.

Prokuroria për krim të organizuar dyshon se 10 persona kanë shpërdorë detyrën zyrtare gjatë shitjes së katër parcelave ndërtimore atraktive në qendër të Shkupit. Përmes veprimeve të tyre këto persona dyshohet se e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 2.6 milion euro.
Sipas Prokurorisë, dhjetë të arrestuarit kanë mundësuar lokacione tërheqëse t’i blejnë persona që fare nuk i kanë plotësuar kushtet ndërsa në këto lokacione është dashur të ndërtohen hotele, në bregun e lumit Vardar si dhe ndërtimi i të ashtuquajturave “Shkallët spanjolle” në sheshin e Shkupit. Asnjëri nga projektet nuk është realizuar.
Prokuroria gjithashtu ka kërkuar të pezullohen nga shitja katër lokacionet ndërsa është kërkuar ngrirja e pronës për të cilën prokurorët dyshojnë se të dyshuarit e kanë fituar në mënyrë joligjore./Alsat