PARALAJMËRIME PËR NDËRTIMIN E HEKURUDHËS DREJT BULLGARISË

348
fresco

Hekurudha drejt Bullgarisë që ka filluar të ndërtohet para shumë dekadash, sipas premtimeve të drejtorit të ri të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat-Infrastruktura, Hari Lokvenec, gjatë mandatit të rij do të përfundojë. Terreni i vështirë drejt kufirit është sfida më e madhe dhe kërkon nga dy ura e një tunel në çdo kilometër. Bullgaria tashmë ka reaguar me pakënaqësi për shkak të zvarritjes së këtij procesi, duke e vënë në “pakon e ankesave”, me të cilat e arsyeton veton për negociata aderuese të vendit me Bashkimin Evropian.

Një nga projektet e shumëparalajmëruara infrastrukturore në vend, hekurudha deri te kufiri me Bullgarinë, pas pothuajse tri dekadave është pjesërisht e realizuar, por drejtori i ri i Ndërmarrjes  Publike Hekurudha – Infrastruktura, Hari Lokvenec, është i bindur se pikërisht ai do ta përfundojë. Terreni malor në drejtim të vendkalimit kufitar Deve Bair, sipas tij është sfida më e madhe.

HARI LOKVENEC, NP HEKURUDHA – INFRASTRUKTURA

“Për momentin në 700 kilometra hekurudha me të cilat disponojnë hekurudhat e Maqedonisë së Veriut kemi 180 ura. Vetëm në këto 89 kilometra janë paraparë 100 ura dhe 40 tunele të reja. Prej tyre, në 24 kilometrat e fundit, janë të parapara 50 ura dhe 24 tunele, që do të thotë se çdo kilometër do të duhet të ketë nga dy ura dhe nga një tunel.”

Korridori 8 sërish është në qendër të vëmendjes, të paktën në premtimet politike të autoriteteve në vend, jo vetëm për lidhjen hekurudhore, por edhe atë rrugore lindje – perëndim, pjesë e së cilës është rruga që ndërtohet në autostradën Kumanovë – Kriva Palankë.

BLAGOJ BOÇVARSKI, MINISTËR I TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka qëllim strategjik për ndërtimin dhe modernizimin e gjithë korridorit 8, që është një nga dy korridorer pan-evropiane në vend dhe i lidh lindjen dhe perëndimin. Për momentin punojmë në mbi 100 kilometra autostradë në territorin e gjithë vendit me investim mbi 170 milionë euro.”

Në kushte të krizës korona, një pjesë e madhe e buxhetit të vend ka përfunduar në sanimin e pasojave nga pandemia, punët në një pjesë të madhe të projekteve infrastrukturore siç duket janë në pushim, ndërsa shoferët drejt dhe nga Bullgaria fqinje çdo ditë kalojnë në rrugë të dëmtuara rëndë.

Në të njëjtën kohë ngadalë ecën ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër, pjesët e së cilës u premtua se do të lëshohen në përdorim verën e kaluar, gjë që nuk ka ndodhur. Plani për një lidhje hekurudhore me Shqipërinë është gjithashtu në pritje, kryesisht, siç theksoi Lokvenec për shkak të ndryshimeve në rrugës së planifikuar që e ka kërkuar UNESCO për mbrojtje të natyrës në afërsi të Liqenit të Ohrit. /KlanMacedonia

Comments